Lajmi i fundit

KUSH PAGUAN/ Paketa fiskale 2027: Biznesi në alarm, ekonomia në rrezik

Grupet kriminale në shërbim të Iranit: Rasti i atentatit të parandaluar në Greqi

Grupet kriminale në shërbim të Iranit: Rasti i atentatit të parandaluar në Greqi

18:39, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Takimet sekrete në Iran dhe në vende të tjera, rrjetet kriminale dhe udhëzimet që vinin nga një shtetas iranian ishin pjesë e përgatitjeve për një atentat ndaj një personi në Greqi, të cilin shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë arritën ta parandalonin.

Hetimet, që zgjatën rreth nëntë muaj, çuan në arrestimin e pesë personave në nëntor, ndërsa një person tjetër është ende në kërkim.

Në qendër të operacionit dyshohet ishte Edris Jahangiri Mavaneh, shtetas iranian, për të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë së Veriut (ANB) e identifikoi si personin kryesor prapa atentatit të planifikuar.

Agjencia dyshon se Mavaneh bashkëpunon me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës. Ajo konfirmoi po ashtu lidhjet e tij me Naji Sharifi Zindashtin, një kriminel iranian i njohur për trafikimin droge.

Çfarë dihet për të arrestuarit në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi?

Në fund të tetorit, në kufirin greko-turk, u ndalua një shtetas 30-vjeçar i Maqedonisë së Veriut, i cili po tentonte të hynte në Turqi. Autoritetet greke e ndaluan për arsye sigurie dhe më 12 nëntor ia dorëzuan autoriteteve maqedonase, shkruan gazeta greke Kathimerini.

Arrestimi i tij ishte pjesë e hetimeve për atentatin e planifikuar në Greqi.

Sipas gazetës greke, cak i atentatit ishte një biznesmen grek – identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur – me prejardhje hebraike, i punësuar në një kompani që bashkëpunon me një kompani shtetërore izraelite të mbrojtjes.

Agjencitë e Maqedonisë së Veriut nuk kanë zbuluar se kush ishte objektiv i sulmit të parandaluar.

Përveç tij, u arrestuan edhe katër persona të tjerë nga Maqedonia e Veriut. Agjencitë e sigurisë nuk i kanë bërë publike emrat e tyre, por kanë thënë se bëhet fjalë për persona të moshës nga 29 deri në 73 vjeç.

Disa detaje rreth operacionit, si dhe fotografi të iranianëve të përfshirë në rrjetin që planifikonte sulmin, i publikoi eksperti i sigurisë nga Uashingtoni, Adrian Shtuni.

Personi i gjashtë nuk është i qasshëm për organet e ndjekjes penale dhe me gjasë është në arrati, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Policia e Maqedonisë së Veriut tha se operacioni nisi pasi Agjencia e Sigurisë Kombëtare në fillim të vitit kishte marrë informacione përmes bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut nga Shkupi dhe Kumanova.

Gjatë kontrolleve në katër lokacione në nëntor, u gjetën telefona mobilë, kompjuterë, pajisje USB, fletore me kontakte, një skicë me një lokacion të shënuar, si dhe armë dhe municion, një pjesë e të cilave pa lejen përkatëse.

“Rrjeti që vepronte në Maqedoni përbëhej nga individë të integruar në organizata kriminale brenda vendit”, tha Bojan Hristovski, drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut.

Çfarë dihet për iranianët e lidhur me operacionin?

Hristovski përmendi edhe njërin prej rekrutuesve të dyshuar iranianë, Naji Sharifi Zindashti.

Bëhet fjalë për një bos iranian të drogës dhe udhëheqës të një rrjeti kriminal, të cilin autoritetet amerikane e lidhin me Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit (MOIS).

Departamenti amerikan i Thesarit thotë se rrjeti i tij, duke vepruar me urdhër të shërbimit iranian të inteligjencës, ka marrë pjesë në rrëmbime dhe vrasje të disidentëve iranianë në disa shtete.

Për rolin e tyre në këto aktivitete, SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosën sanksione të përbashkëta ndaj Zindashtit dhe bashkëpunëtorëve të tij në janar të vitit 2024.

Edhe Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Zindashtit dhe anëtarëve të rrjetit të tij në korrik të vitit 2025, duke e përshkruar atë si grup kriminal të lidhur me MOIS-in dhe përgjegjës për represion ndërkufitar, përfshirë atentatet ndaj disidentëve iranianë.

Zindashti gjendet edhe në listën e personave në kërkim të Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI).

Në dhjetor të vitit 2023, ndaj tij u lëshua një fletarrestim federal për përfshirjen e dyshuar në një komplot për vrasjen e dy disidentëve iranianë që jetonin në shtetin amerikan të Merilendit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë amerikane, rrjeti i tij kishte angazhuar për këtë punë shtetasin kanadez Damion Patrick John Ryan, anëtar i grupit të motoçiklistëve Hells Angels.

Departamenti amerikan i Thesarit e lidh rrjetin e Zindashtit edhe me rrëmbimin e një disidenti iranian në Turqi në vitin 2020.

Agjencitë e sigurisë së Maqedonisë së Veriut publikisht nuk e kanë sqaruar rolin e Zindashtit në operacionin e planifikuar në Greqi.

Kush është Edris Jahangiri Mavaneh?

Ndryshe nga Zindashti, për Edris Jahangiri Mavanehun, të cilin autoritetet e Maqedonisë së Veriut e kanë cilësuar si figurë kyç të operacionit, pothuajse nuk ka të dhëna të qasshme publikisht.

Emri i tij u shfaq në mediat ndërkombëtare vetëm pasi shërbimet maqedonase dhe greke njoftuan se kishin zbuluar një rrjet që po përgatiste një atentat.

CNN-i grek publikoi fotografinë e tij dhe tha se ai ndodhet në Iran, prej nga, sipas informacioneve të këtij mediumi, koordinonte rrjetet kriminale në Evropë dhe Amerikë.

Sipas pretendimeve, ai ishte përgjegjës për financimin, përzgjedhjen e objektivave dhe planifikimin operacional të sulmeve, teksa kishte kontakte edhe me kriminelë turq.

Gazeta greke Kathimerini raportoi se Mavaneh lëvizte mes Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe se disa prej të dyshuarve ishin takuar me të në të dyja vendet.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Maqedonisë tha se ka indikacione se Mavaneh bashkëpunon me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.

Megjithatë, ajo nuk ka publikuar detaje për pozitën e tij formale në këto struktura dhe as për mënyrën se si i kishte krijuar lidhjet me grupet kriminale në Maqedoninë e Veriut.

Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me Mavanehun dhe lidhjen e tij me Zindashtin, i cili është në kërkim. Edhe agjencitë e Maqedonisë së Veriut nuk ndan më shumë detaje.

Paralajmërimet nga Evropa

Shërbimet evropiane të sigurisë prej disa vitesh paralajmërojnë për përdorimin e rrjeteve kriminale në operacione të lidhura me Iranin.

Shërbimi suedez i Sigurisë, Säpo në vitin 2024 paralajmëroi publikisht se Irani përdor rrjetet kriminale si ndërmjetës për aktivitete të dhunshme në Suedi dhe në vende të tjera.

Hetimet në Suedi dhe Holandë kanë treguar po ashtu se detyrat mund të përcillen përmes disa ndërmjetësve, ndërsa personat që i kryejnë ato në terren nuk kanë nevojë ta dinë se kush është porositësi përfundimtar, për çka REL-i ka raportuar më herët./ REL.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco