
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë prezantimit sot në Kuvend të projektbuxhetit 2027, bëri të ditur se financimi do të përqendrohet te zhvillimi rural, siguria ushqimore, peshkimi dhe akuakultura, si dhe forcimi i institucioneve dhe digjitalizimi. “Programi i Zhvillimit Rural është shtylla kryesore e këtij buxheti. Për të parashikohen rreth 8,4 miliardë lekë, kundrejt 7,7 miliardë lekëve në buxhetin fillestar të vitit 2026, duke përfaqësuar afërsisht 47% të buxhetit të ministrisë. Në këtë program përqendrohet mbështetja për fermerët, investimet në ferma dhe përgatitja për Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian”, tha Salla, teksa shtoi se, “në planifikimin e vitit 2027 buxheti është rritur me 120 milionë lekë, ku pjesa kryesore prej 100 milionë lekë shtesë shkon për Skemën Kombëtare të Mbështetjes. Por ndryshimi që kërkojmë nuk është vetëm financiar”.
Shtylla e dytë, vijoi ministri, është siguria ushqimore. “Për vitin 2027 programi ka një buxhet rreth 3 miliardë lekësh, ose 87,3 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin 2026, nga të cilat vetëm për investimet janë parashikuar 371 milionë lekë. Realizimi i kontrolleve zyrtare, zbatimi i programeve të survejancës veterinare e fitosanitare, si dhe funksionimin e sistemit të laboratorëve zyrtarë arrijnë në shifrën prej 694,1 milionë lekë, me një rritje prej 30 milionë lekë, ose 4,5% më shumë”, u shpreh Salla, teksa shtoi se, gjithashtu mbështetja prej 13,5 milionë eurove përmes projektit EU4FoodSafety, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane do të ndihmojë në modernizimin e kontrolleve zyrtare, inspektimin mbi bazën e riskut, kapacitetet laboratorike, kontrollin kufitar dhe përgatitjen e operatorëve ushqimorë për standardet evropiane.
Ministri bëri të ditur se, programi i menaxhimit të infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes është instrumenti tjetër i mbështetjes buxhetore 2027. Ai tha se, mbështetje e veçantë do të adresohet edhe për programin e mbështetjes për peshkimin dhe akuakulturën, si një tjetër sektor me potencial për zhvillim dhe eksporte. “Programi i mbështetjes për peshkimin arrin në 727 milionë lekë, 25% më shumë se në vitin 2026. Objektivat përfshijnë rritjen graduale të prodhimit të produkteve peshkore me 10-20% dhe të eksporteve me 15-20% deri në vitin 2028”, theksoi Salla.
Programi i pestë, i renditur nga Ministri, është këshillimi dhe informacioni bujqësor. “Politikat tona nuk mund të mbeten vetëm në dokumente; ato duhet të arrijnë deri te fermeri. Për programin e Këshillimit dhe Informacionit Bujqësor janë parashikuar 872 milionë lekë. Për të vijuar me programin e 6-të, që është programi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Tokës Bujqësore dhe programin e 7-të, Programi i Planifikimit, Menaxhimit dhe Administrimit që ka një tavan prej rreth 663 milionë lekësh për forcimin e kapaciteteve administrative”.
Salla theksoi se mbështetja financiare do të shoqërohet edhe me masa të paketës fiskale, ndërsa fondi për rimbursimin e 10% të TVSH-së për fermerët, për çdo faturë, do të dyfishohet në vitin e ardhshëm. “Ky projektbuxhet është pjesë e një plani të gjerë të Qeverisë Shqiptare që synon uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e mundësisë së investimit në sektor. Gjithashtu do të vijojë mbështetja e fermerve me rimbursimin e TVSH-së, 10% të çdo fature. Fondi në dispozicion vitin e ardhshëm do të dyfishohet”, deklaroi ministri.
