Pep Guardiola vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar të futbollit botëror, por trajneri spanjoll nuk ka ndërmend të rikthehet në pankinë gjatë këtij sezoni, pavarësisht ofertave që ka marrë nga disa vende, përfshirë Arabinë Saudite.
Klube të shumta saudite kanë shprehur interes për të siguruar shërbimet e 55-vjeçarit, duke qenë të gatshme t’i ofrojnë kushte financiare shumë të larta. Megjithatë, Guardiola ka vendosur të mos shqyrtojë asnjë ofertë deri në verën e ardhshme.
Interesim për trajnerin ka pasur edhe nga Italia, ku emri i tij është përmendur pas largimit të Gennaro Gattusos, si dhe nga Shtetet e Bashkuara, pas ndarjes së rrugëve me Mauricio Pochettinon.
Vendimin e Guardiolës e ka konfirmuar edhe menaxheri i tij, Josep Maria Orobitg, në një prononcim për gazetën sportive saudite “Al-Riyadiya”. Ai zbuloi se në ditët e fundit kanë mbërritur disa oferta nga Arabia Saudite, por trajneri nuk dëshiron t’i marrë në konsideratë në këtë periudhë.
“Kemi marrë disa oferta nga Arabia Saudite përmes ndërmjetësve gjatë ditëve të fundit. Por Guardiola refuzon kategorikisht t’i marrë në konsideratë. Pep do të nisë të diskutojë të ardhmen para fillimit të sezonit të ardhshëm. Ky është vendimi përfundimtar”, deklaroi Orobitg.
Kështu, pavarësisht interesimit dhe ofertave të majme, klubet që synojnë të bindin Guardiolën duhet të presin deri në verën e ardhshme, kur ai do të vendosë për hapin e radhës në karrierën e tij.


