Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar sërish lidhur me polemikën për Teatrin e Kukullave në Tiranë, pasi ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, mohoi mundësinë që godina të kthehet në një qendër kulturore hebraike.
Fevziu, i cili e ngriti fillimisht këtë çështje në emisionin “Pjaca në Radar”, me Alfred Pezën, këmbëngul se nuk ka deklaruar se teatri do të ndryshojë destinacion, por se ka pasur një plan të tillë në të kaluarën.
Në reagimin e tij, gazetari publikoi referenca nga mediat e vitit 2017, sipas të cilave, në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës, më 23 nëntor të atij viti, kryebashkiaku i atëhershëm Erion Veliaj kishte propozuar krijimin e një qendre kulturore shqiptaro-hebraike në ambientet e Teatrit të Kukullave, pas rikonstruksionit dhe zgjerimit të godinës.
Fevziu solli si dëshmi citime të publikuara në gazetën “Tema”, Shqiptaria.com dhe në një gazetë të shtypur, ku përmendej konkretisht mundësia e ngritjes së qendrës në këtë godinë.
Ai kujtoi gjithashtu debatet publike me Veliajn për këtë çështje, fillimisht në emisionin “Opinion”, më 20 shkurt të vitit pasardhës, si dhe gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2019.
“Fake news apo plan i ndryshuar rrugës? Kjo është dilema kur bëhet fjalë për lajmin që Teatri i Kukullave mund të kthehet në një qendër kulturore hebraike”, shkruan Fevziu, duke sqaruar se deklarata e tij i referohej një projekti të diskutuar vite më parë dhe jo një vendimi aktual.
“Ka qenë një plan, që plani nuk është bërë është lajm shumë i mirë, por nuk është fake news. Është një plan i ndryshuar rrugës”, përfundon gazetari.
Reagimi vjen pas deklaratës së ministrit Blendi Gonxhja, i cili mohoi kategorikisht çdo ndryshim të destinacionit të godinës, duke theksuar se Teatri i Kukullave do të vijojë të funksionojë si i tillë.


