Ura e Krimesë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të Rusisë, u godit dhe doli jashtë funksionit sipas një plani që, sipas njoftimeve ukrainase, ishte hartuar jo vetëm nga ushtarakë, por edhe nga inxhinierë. Sulmi u krye gjatë natës midis së hënës dhe së martës, në një operacion që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte përgatitur për javë të tëra dhe zhvillohej në shtatë faza.
Sipas versionit të Kievit, faza e parë e operacionit synoi dobësimin e mbrojtjes ruse duke goditur sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët dhe pajisjet e luftës elektronike. Pas këtij veprimi, forcat ukrainase përdorën dronë dhe raketa kundër vetë strukturës së urës. Goditja e parë shkaktoi dëme në pjesën qendrore të urës rrugore, pa e shembur plotësisht atë. Sulmet pasuese, sipas përshkrimit të Kievit, nuk i lanë kohë autoriteteve ruse të ndërhynin dhe çuan në shembjen e një pjese të harkut prej çeliku; ripërplasja e asaj pjese dëmtu gjithashtu segmentin e hekurudhës që kalonte poshtë.
Zelensky bëri të ditur se në operacion u përdorën disa lloje dronësh dhe raketash, përfshirë sistemet “Neptun”, “Flamingo” dhe mjete të tjera të prodhimit ukrainas. Si pasojë e dëmeve, autoritetet ndërprenë qarkullimin e automjeteve mbi urë. Nga ana e tyre, autoritetet ruse njoftuan rifillimin e pjesshëm të trafikut hekurudhor, megjithëse edhe kjo linjë raportohet se ka pësuar dëmtime.
Nga Moska, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se presidenti Vladimir Putin ishte informuar për sulmin dhe se ura do të rindërtohej. E inauguruar në vitin 2018 nga vetë Vladimir Putin, ura e Krimesë është rreth 19 kilometra e gjatë dhe, sipas njoftimeve, ka rëndësi të veçantë për Moskën si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe politik.
