Gazetari Artan Hoxha, në një intervistë për “Prime News24”, ka komentuar debatet e zhvilluara sot në Kuvend për buxhetin, duke kritikuar mënyrën se si u zhvillua përballja mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Hoxha tha se e kishte pritur seancën me interes, pasi mendonte se më në fund do të shihte një debat të drejtpërdrejtë mes Ramës dhe Berishës. Por, sipas tij, gjithçka u zhvillua si në ato takime ku flet vetëm njëri, pasi Rama u largua kur hyri Berisha dhe më pas ndodhi e njëjta gjë në të kundërt.
Ai vuri në dukje se mazhoranca kishte një avantazh, pasi grupi parlamentar i PD-së ishte i përçarë dhe disa deputetë ishin përjashtuar. Sipas Hoxhës, Berisha ishte i detyruar të përballej me këtë situatë, pasi nuk kishte as mbështetjen e plotë të grupit të tij parlamentar. Ai shtoi se fjalën në Kuvend e përcakton kryetari i seancës, Niko Peleshi.
Gazetari theksoi se qytetarët nuk kishin nevojë për propagandën e kryeministrit, por për përgjigje konkrete mbi mënyrën se si buxheti do të ndikojë në jetën e tyre.
“Problemi është se buxheti nuk u shërben qytetarëve dhe nuk kthehet në të mira për ta”, u shpreh Hoxha.
Ai u ndal edhe te diskutimet për bonusin e bebeve, duke kujtuar se Parlamenti kishte hequr më parë bonusin për fëmijët e emigrantëve që lindnin jashtë vendit, por regjistroheshin në Shqipëri. Sipas tij, kjo ishte një masë që duhej të ruhej, pasi nxiste regjistrimin e fëmijëve në vend.
Kritika pati edhe për deklaratat e Ramës ndaj pensionistëve. Hoxha tha se kryeministri, në vend që të jepte shpjegime për paketën fiskale dhe buxhetin, u përpoq të mbulonte problematikat me premtime për bonuse.
“Ai i ka bërë vegjetarianë pensionistët tanë, i ka holluar!”, deklaroi gazetari.
Sa i përket rritjes së pagave dhe shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit, Hoxha tha se ishte pozitiv fakti që policët përfituan rritje, pasi profesioni i tyre është i lidhur me një betim para flamurit. Megjithatë, ai kritikoi mënyrën se si u dha shpërblimi, duke pretenduar se policëve u ishte premtuar disa herë rritja e pagës dhe se këtë herë ajo erdhi në një moment kur qeverisë i nevojitej mbështetja e tyre gjatë protestave.
Sipas Hoxhës, bonusin nuk e kanë marrë të gjithë punonjësit e policisë, por vetëm rreth 2 700 prej tyre.
Një tjetër pikë e kritikës së tij ishte deklarata e Ramës për kullat në Tiranë dhe kuotën prej 3% të banesave sociale. Kryeministri kishte argumentuar se pa ndërtimin e kullave nuk do të ishte e mundur të arrihej kjo kuotë. Hoxha e kundërshtoi këtë argument, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinën e parave që financojnë ndërtimet e larta në kryeqytet.
“Te këto kulla janë qindra miliona euro të narkotrafikut. Kush i ngre ato kulla? Nuk i ngrenë ata me 200 rrënjë ullinj”, u shpreh ai.
Hoxha shtoi se Tirana është betonizuar ndërsa qeveria kujtohet vetëm tani për kuotën e banesave sociale, e cila, sipas tij, ekziston prej gjashtë vitesh. Ai pyeti nëse njihet ndonjë kullë ku 3% e hapësirës është vënë realisht në dispozicion të shtresave në nevojë.
Gazetari kritikoi edhe opozitën, duke thënë se ajo duhej të kishte qenë më e përgatitur për të kundërshtuar dhe çmontuar deklaratat e kryeministrit. Sipas tij, ishte e pritshme që mazhoranca do ta votonte buxhetin, por opozita kishte detyrimin të përballej me argumentet e qeverisë dhe t’u jepte qytetarëve një alternativë.
Në fund, Hoxha u ndal te protestat dhe pakënaqësia qytetare, duke vënë në dukje se Kuvendi ishte rrethuar nga protestues edhe në seanca që, sipas tij, nuk kishin të njëjtën rëndësi si ajo e sotmja, kur diskutohej buxheti.
Ai akuzoi Ramën se, nga njëra anë, provokon protestuesit dhe tallet me ta, ndërsa nga ana tjetër flet për dialog.
“Gjithë kjo pakënaqësi e madhe popullore nuk materializohet. Këtë avantazh po përdor Rama sot”, tha Hoxha.
Duke iu referuar një prej protestave të mëparshme, gazetari kujtoi edhe daljen e forcave RENEA, duke pretenduar se atë ditë të gjitha repartet e policisë ishin angazhuar për të mbrojtur kryeministrinë.
“Edhe 15 minuta të tjera dhe protestuesit do të hynin në Kryeministri, por nuk e dinin që policia ishte asfiksuar”, përfundoi Hoxha.
