Brad Pitt e ka ndarë mendjen se çfarë do të donte të bënte në filmin e ardhshëm të James Bondit: të luante të keqin atë që thur plane për të shkatërruar botën dhe ia bën ferr jetën agjentit 007. Përballë do të kishte Robert Pattinson, ish vampirin bukurosh me flokët e shpurpurisur të sagës “Twilight”, që pas pelerinës së Batmanit do të veshë smokingun e agjentit 007.

Gjatë promovimit të filmit “The Further Mis-Adventures of Cliff Booth”, Pitt u vetëofrua, duke kërkuar me humor që dikush t'i telefononte regjisorin Denis Villeneuve.

“Më merr mua për rolin e të keqit. Dikush të marrë Villeneuve-n në telefon.”

Pitt i ka provuar edhe më parë rolet e burrave që pas pamjes joshëse fshehin një anë të dhunshme. Në filmin “Fight Club” ishte Tyler Durden, që organizonte përleshje të fshehta e të dhunshme, ndërsa në “Once Upon a Time in Hollywood” të Quentin Tarantinos luante një dublant të heshtur, por të pamëshirshëm kur vinte puna te dhuna. Ky rol i fundit i solli edhe Oscar-in.

Aktori përmendi edhe mikun e tij Javier Bardem, Raoul Silvën flokëverdhë te filmi “Skyfall”. Fansat vështirë ta kenë harruar hyrjen e tij në skenë, me atë rrëfimin e qetë për minjtë, përpara se t’i afrohej Bondit të lidhur në karrige. Bardem i dha sagës 007 një kundërshtar që nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të të drithëruar.

Megjithatë siç thotë populli, nga e thëna në të bërë është një është në mes një det i tërë. Pitt e ka shprehur dëshirën, por rolin ende nuk e ka në xhep. Madje, në parashikimet e platformës “Kalshi” kryeson Cillian Murphy, aktori që fitoi Oscar-in duke luajtur “babain e bombës atomike” në filmin“Oppenheimer”. Pas tij renditen Barry Keoghan dhe Idris Elba.

Për Elbën ky rol do të ishte një kthesë më vete: emri i tij është diskutuar prej vitesh për të veshur kostumin e agjentit që koktejin e tij të preferuar, martinin, e do të përgatitur duke tundur pijen bashkë me akullin në shaker, jo duke e përzier me lugë.

Në listë për rolin e të keqit janë edhe Peter Dinklage, Tyrion Lannister i “Game of Thrones”, dhe Adam Driver, që fansat e “Star Wars” e njohin si Kylo Ren.

Edhe për gruan që do t’i rrëmbejë zemrën Bondit — ose do ta fusë në kurth — emrat janë të shumtë.

Revista “Variety” ka renditur 19 aktore të mundshme, nga Zendaya dhe Florence Pugh te Margot Robbie, Sydney Sweeney dhe Anya Taylor-Joy. Në listë janë edhe Emily Blunt, Marion Cotillard, Lupita Nyong’o, Margaret Qualley dhe Hunter Schafer. Kjo e fundit, nëse përzgjidhet, mund të bëhet vajza e parë transgjinore e Bondit.

Kaq shumë opsione në mendjen e Villeneuve, regjisorit të “Dune”, dhe drejtoreshës së kastit Nina Gold për të cilët zgjedhja e vetë Bondit pati të papriturat e saj.

Sipas gazetarit Mattheë Belloni, një nga të preferuarit e regjisorit ishte Josh O’Connor, Princi Charles i “The Crown”. Por aktori u tërhoq, i shqetësuar nga ekspozimi mediatik, presioni i famës dhe angazhimi shumëvjeçar që kërkon roli.

Kështu, rruga iu hap Pattinsonit, i cili e di mirë çfarë do të thotë të mos të të lënë fansat rehat. Roli i vampirit të dashuruar Edëard Cullen në “Twilight” e bëri idhull të miliona adoleshenteve, me paparacët që e përndiqnin në çdo hap.

Tani smokingu i Bondit do t’i sigurojë një vend përkrah Sean Connery-t, Pierce Brosnan-it dhe Daniel Craig-ut në një histori fantastike kinemaje që argëton njerëzit prej më shumë se gjashtë dekadash.