Një pasuri mund të sekuestrohet edhe kur është e papërfunduar, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Autoriteti për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) e merr dhe e administron fizikisht objektin. Kontrolli i Lartë i Shtetit dokumenton një rast nga vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 15 janar 2021, ku ishin përfshirë edhe dy apartamente në Mëzez, Tiranë. Kur administratori i AAPSK verifikoi gjendjen, rezultoi se të dyja apartamentet ishin të papërfunduara — pa dyer, dritare e energji elektrike — dhe për këtë arsye nuk u morën në administrim fizik, megjithë faktin se i përkasin shtetit. Një rast i ngjashëm përmendet për një godinë 3-katëshe në Vlorë me katin e fundit të papërfunduar.
Problemi bëhet më i ndërlikuar kur në ndërtesa në ndërtim ka qytetarë të tretë që kanë paguar këste paraprake të konsiderueshme. Së fundi janë sekuestruar disa pallate me qindra apartamente që dyshohet se janë financuar nga grupe të trafikut të drogës; situata të tilla të panjohura më herët janë duke u adresuar. Në ndryshimet ligjore të propozuara për vitin 2026 parashikohet shprehimisht trajtimi i “zhvillimit të objekteve me investim të papërfunduar”.
Ekspertja e ekonomisë Gertjana Hasalla thekson se kur palë të treta kanë blerë në mirëbesim dhe disponojnë kontrata dhe pagesa të firmosura, shteti nuk mund t’u sekuestrojë pronën qytetarëve. Sekuestrohen subjekti i krimit — për shembull llogaritë e kompanisë apo apartamentet që i përkasin ndërtuesit — por jo apartamentet e blera nga qytetarët. Sipas saj, administratori duhet të bëjë ndarjen dhe të verifikojë dokumentacionin lidhur me pagesat e qytetarëve ndaj pjesës që i përket ndërtuesit, e cila mund të sekuestrohet.
Varësisht nga rasti, për punimet e papërfunduara mund të ngarkohet zhvilluesi, zbatuesi, mbikëqyrësi ose kolauduesi sipas angazhimit që kanë pasur gjatë ndërtimit. Investimi mund të merret përsipër edhe nga shteti përmes fondit të konfiskimit. Një problem i veçantë mbeten parapagesat pa kontrata konkrete, ku financat e blera mund të humbasin. Projektligji është paraqitur nga Këshilli i Ministrave për Kuvendin, por ende nuk është miratuar.
