Koalicioni qeverisës në Gjermani ka arritur marrëveshjen për vendosjen e një mekanizmi të përkohshëm për kufizimin e çmimeve të benzinës dhe naftës, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar dhe të zgjasë për tre muaj.
Vendimi u mor pas më shumë se tetë orësh negociatash mes bllokut konservator CDU/CSU të kancelarit Friedrich Merz dhe Partisë Socialdemokrate (SPD). Sipas një njoftimi drejtuar ligjvënësve, qeveria pritet të miratojë projektligjin dhe rregulloren përkatëse më 2 dhjetor.
Masa synon të frenojë rritjet e tepruara të çmimeve në një periudhë kur tregjet e energjisë po përballen me presion për shkak të konfliktit me Iranin. Megjithatë, mënyra konkrete e zbatimit të kufizimit dhe kushtet që do të aktivizojnë mekanizmin ende nuk janë përcaktuar qartë.
Marrëveshja vjen në prag të përfundimit të uljes së përkohshme të taksës së karburanteve, e cila është në fuqi që prej fillimit të tetorit për të lehtësuar barrën financiare mbi drejtuesit e automjeteve. Kjo masë përfundon në fund të dhjetorit.
Udhëheqësit e koalicionit kishin rënë dakord që në mesin e shtatorit për vendosjen e një kufizimi të përkohshëm të çmimeve, duke marrë si model masat e ndërmarra në Luksemburg dhe Belgjikë. Synimi është të parandalohet shtrenjtimi i tepruar, pa cenuar furnizimin e qëndrueshëm me karburante.
Çështja ka shkaktuar debate edhe brenda koalicionit. SPD-ja kishte kundërshtuar më herët propozimin e ministres së Ekonomisë, Katherina Reiche, nga CDU-ja, duke e cilësuar atë joefektiv.
Sipas planit fillestar të Reiche, kufizimi do të aktivizohej vetëm nëse çmimet e benzinës ose naftës në Gjermani do të rriteshin për tri javë radhazi me më shumë se pesë pikë përqindjeje mbi rritjen mesatare në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Ky prag, sipas të dhënave të përmendura në propozim, nuk ishte arritur asnjëherë gjatë viteve të fundit.


