Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar ndaj deklarimeve të protestuesit Enea Gjodedja, i cili pretendoi se ishte dhunuar në mjediset e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të tij. Policia i cilësoi akuzat si të pavërteta.
Sipas versionit të policisë, Gjodedja u shoqërua në komisariat në mbrëmjen e 17 nëntorit 2026. Pas veprimeve procedurale, ndaj tij nisi procedimi penal për pesë vepra: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.
Të lidhura
None found

Policia thotë se, para se të largohej nga komisariati, ai firmosi procesverbalin për veprimet e kryera nga punonjësit dhe deklaroi se nuk kishte ankesa për trajtimin e marrë. Sipas DVP Tiranë, Gjodedja nuk është thirrur apo shoqëruar në zyrën e shefit të Komisariatit Nr. 1.
Sa u përket dëmtimeve në syrin e majtë, në deklaratën e policisë thuhet se Gjodedja u paraqit në spital më 18 nëntor, rreth orës 15:05. I pyetur nga punonjësit e policisë që shërbenin pranë spitalit, ai deklaroi se një natë më parë, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, ishte ndaluar dhe dhunuar nga disa persona që nuk i njihte.
Gjatë komunikimit me të nga Patrulla e Përgjithshme ishte i pranishëm edhe një avokat. Policia bën me dije se Gjodedja nuk pranoi të paraqiste kallëzim për ngjarjen dhe se salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u njoftua për rastin.







