Sa fitojnë prodhuesit e veturave për çdo automjet të shitur?
Fitimet në industrinë e automobilave janë nën presion, ndërsa këtë e dëshmojnë edhe shifrat më të fundit. Prodhuesit e veturave po përballen me marzhe gjithnjë e më të ulëta fitimi, ndërsa dallimet mes kompanive janë të mëdha.
Prodhuesi gjerman i veturave Volkswagen aktualisht realizon fitim prej vetëm 12 eurosh për çdo veturë të shitur. Qendra për Menaxhimin e Industrisë së Automobilave (CAM) ia atribuon përfitueshmërinë e ulët kryesisht shpenzimeve të njëhershme, të cilat arrijnë në gjithsej 8.7 miliardë euro.
Një studim i publikuar të enjten analizon pozitën e kompanisë në një treg gjithnjë e më sfidues. Sipas raportit, Volkswagen po përballet me marzhe të ulëta fitimi, ndërsa mesatarja e industrisë është dukshëm më e lartë.
Marzhi i përshtatur prej 3.8 për qind tregon se Volkswagen duhet të përmirësojë më tej strukturën e kostove dhe përfitueshmërinë, në mënyrë që të sigurojë konkurrueshmëri afatgjatë.
Megjithatë, presioni mbi fitimet nuk është i kufizuar vetëm te ky prodhues. Mesatarisht, kompanitë e industrisë së automobilave kanë realizuar kthim prej 3.6 për qind gjatë nëntë muajve të parë të vitit, krahasuar me katër për qind në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dy të tretat e kompanive kanë shënuar fitime më të ulëta.
"Kur fitimi bie pothuajse gjashtë herë më shpejt sesa të ardhurat, kjo është një shenjë paralajmëruese për industrinë", deklaroi Stefan Bratzel, drejtor i CAM-it.
Sipas tij, transformimi i industrisë duhet të përqendrohet më shumë te inovacionet që sjellin fitim dhe te strukturat më efikase të biznesit.
Mercedes dhe BMW kryesojnë për nga fitimi për veturë
Sipas studimit, fitimi mesatar për një veturë të shitur në industrinë e automobilave është 1.363 euro, krahasuar me 1.409 euro një vit më parë.
Mercedes-Benz ka rritur fitimin për çdo veturë të shitur për 31 për qind, duke arritur në 4.198 euro. Ndërkohë, BMW ka realizuar rreth një të tretën më pak fitim sesa vitin e kaluar, përkatësisht 3.059 euro për automjet.
Toyota dhe General Motors gjithashtu kanë shënuar rezultate mbi mesataren e industrisë.
Tesla, me 1.335 euro fitim për veturë, gjendet pak nën mesataren e industrisë.
Ford, BYD, Chevrolet dhe Suzuki kanë realizuar fitime që variojnë nga 994 deri në 1.254 euro për automjet.
Prodhuesit kinezë Geely, SAIC dhe Great Wall kanë regjistruar rreth 700 euro fitim për veturë, ndërsa grupi Stellantis, kompania mëmë e Opel-it, vetëm 250 euro.
Shifrat e Volkswagenit duhet të shihen në kontekstin e kostove të ristrukturimit të kompanisë, ndërsa në periudhën afatshkurtër pritet që fitimi i saj të rritet. /Telegrafi/





























