“Pse nuk e lejojnë të qëndrojë pranë saj të paktën dy javë”, Milaim Zeka për bashkëshorten e Jakup Krasniqit në “Ftesë në 5”: Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë

18/11/2026 22:48

Gazetari Milaim Zeka, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Ftesë në 5”, ka folur për vuajtjet e familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë, duke u ndalur veçanërisht te gjendja shëndetësore e bashkëshortes së Jakup Krasniqit.

Zeka u shpreh se ajo ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ngriti pikëpyetje për arsyet pse Krasniqit nuk i jepet mundësia të qëndrojë pranë bashkëshortes së tij, qoftë edhe për një ose dy javë.

“Gjendja e saj shëndetësore është shumë e rëndë dhe nuk e kuptoj pse nuk e lejojnë që Jakupi të qëndrojë pranë gruas së tij, të paktën një javë ose dy javë. Sikurse shumë gra të tjera, edhe ajo ka kaluar nëpër një labirint vuajtjesh. Jakupin e kam pasur profesor dhe është dënuar në vitet 1981-1982 me 15 vite burg për aktivitetin e tij politik. Ai i ka vuajtur vitet e burgut në burgjet jugosllave, ndërsa tani po bën gjashtë vite në burgun e Hagës. Është 76 vjeç dhe është e paimagjinueshme të mendosh se nëpër çfarë vuajtjesh kanë kaluar kjo grua dhe fëmijët e saj”, thotë Zeka.

Zeka solli në vëmendje edhe vështirësitë me të cilat përballen familjarët e ish-krerëve të UÇK-së, duke përmendur bashkëshorten e Jakup Krasniqit, nënën e Hashim Thaçit, si dhe familjarët e Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.

“Është vuajtje për familjarët. Imagjinoni bashkëshorten e Jakupit, nënën e Hashim Thaçit, familjarët e Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit, që duhet të ndërrojnë gjithë ata avionë për të arritur në Hagë”, tha Zeka.

Ai u ndal edhe te vështirësitë e takimeve me të afërmit, duke theksuar se vetëm ata që i kanë përjetuar këto situata mund ta kuptojnë peshën emocionale të tyre.

“Vetëm ata që e kanë provuar në lëkurën e tyre mund ta imagjinojnë se çfarë do të thotë të takosh partnerin pas grilave”, përfundoi Milaim Zeka.

Top Channel