Një mbledhje familjare në Karolinën e Jugut, e organizuar për të shënuar lirimin e një burri nga burgu federal, përfundoi me vdekjen e një personi.
Cedrick Cunningham, 50 vjeç, u arrestua të hënën dhe u akuzua për vrasjen e Andre Smith, 42 vjeç, si dhe për mbajtje të paligjshme të një arme. Sipas mediave amerikane, mes tyre shpërtheu një konflikt gjatë festës, i cili përfundoi me një përleshje. Autoritetet dyshojnë se Cunningham e goditi Smithin me thikë.
Të lidhura
None found
Smith u largua nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij, por të shtunën u gjet në zonën e Hopkins, brenda makinës, me një plagë të rëndë në kraharor. Zyra e Mjekësisë Ligjore në Richland konfirmoi identitetin e tij dhe bëri të ditur se kishte vdekur në vend.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Cunningham sapo kishte përfunduar një dënim federal prej 10 vitesh, të dhënë në vitin 2019 pasi ishte deklaruar fajtor për një vepër të lidhur me armëmbajtjen.
Historiku i tij përfshinte edhe çështje të mëparshme për drogë. Në shtator 2018, ai ishte kapur me kokainë, marijuanë e crack, si dhe me një pistoletë të kalibrit .380 dhe municion.
Në vitin 2023, Cunningham iu drejtua gjykatës për lirim të parakohshëm për arsye humanitare, por kërkesa u refuzua. Në letrën e tij, ai shprehej se donte të qëndronte pranë tre fëmijëve, të cilët, sipas tij, kishin përfunduar universitetin, dhe të kujdesej për prindërit e moshuar.
Ai kishte kërkuar mundësinë për të nisur një jetë të re në shoqëri, duke thënë se koha në burg e kishte ndihmuar të ndryshonte dhe të bëhej qytetar më i mirë.
Pas ngjarjes, Cunningham u dërgua në qendrën e paraburgimit Alvin S. Glenn. Autoritetet po hetojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes.







