Sa rëndësi kanë Nvidia dhe Jensen Huang për ekonominë amerikane?
Nvidia dhe bashkëthemeluesi i saj, Jensen Huang, kanë qenë ndër aktorët kryesorë të bumit të investimeve në inteligjencën artificiale (AI).
Gjatë viteve të fundit, pak kompani dhe drejtues ekzekutivë kanë pasur ndikim kaq të madh në zhvillimin e kësaj teknologjie sa Nvidia dhe Huang. Nën drejtimin e tij, kompania amerikane, e specializuar në prodhimin e mikroçipave, është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të revolucionit të inteligjencës artificiale dhe në një prej kompanive më të rëndësishme të industrisë së teknologjisë.
Megjithatë, ky kapitull mori një kthesë të papritur pas dorëheqjes së Huangut, e cila erdhi në vazhdën e zbulimeve për marrëdhëniet e tij jashtëmartesore. Njëra prej tyre dyshohet se kishte të bënte me një spiune kineze.
Skandali ka shkaktuar tronditje në kompaninë që deri më tani ishte në qendër të revolucionit të AI-së. Pas publikimit të këtyre pretendimeve, qindra miliarda dollarë nga vlera e saj në bursë janë fshirë, ndërsa largimi i Huangut ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Nvidia-s dhe drejtimin që do të marrë kompania në një nga periudhat më të rëndësishme për industrinë e teknologjisë.
Edhe pse Nvidia nuk është aq e njohur për publikun e gjerë sa gjigantët e tjerë të teknologjisë, si Apple, Amazon dhe Microsoft, ajo ka luajtur një rol po aq të rëndësishëm në rritjen e tregut amerikan të aksioneve gjatë viteve të fundit, shkruan bbc.
Investimet marramendëse në inteligjencën artificiale dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave kanë dhënë një shtysë të madhe për ekonominë amerikane. Në këtë zhvillim, Nvidia ka qenë një nga kompanitë kryesore, duke përfituar ndjeshëm nga kërkesa në rritje për teknologjitë e AI-së.
Fillimisht, kompania ishte e specializuar në prodhimin e procesorëve grafikë për videolojëra. Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo e orientoi biznesin drejt prodhimit të çipave me performancë të lartë, të cilët përdoren për zhvillimin dhe funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale. Sot, Nvidia dominon këtë treg.
Kompania është shndërruar në njërën prej më të vlefshmeve në botë, me një kapitalizim tregu prej 3.8 trilionë dollarësh (2.9 trilionë funtesh). Të martën, ajo bëri të ditur se rritja e shpejtë e biznesit pritet të vazhdojë, pasi shitjet tremujore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, largimi i tij ka krijuar pasiguri për të ardhmen dhe drejtimin që do të marrë kompania. Huang ka qenë vendimtar në rritjen e Nvidia-s, veçanërisht në vendimin strategjik për ta orientuar biznesin drejt inteligjencës artificiale. Ai gjithashtu ushtronte kontroll të drejtpërdrejtë mbi kompaninë, pasi, sipas raportimeve, deri në 200 persona i raportonin drejtpërdrejt atij.
Dan Coatsworth, drejtues i sektorit të tregjeve në kompaninë investuese AJ Bell, thotë se Huang nuk ishte vetëm një figurë qendrore për Nvidia-n, por edhe një nga zërat më me ndikim në promovimin dhe nxitjen e investimeve në industrinë e inteligjencës artificiale në tërësi.
Sipas tij, largimi i Huangut përbën një “rrezik real” për kompaninë, pasi drejtimi i ri mund të sjellë ndryshime në strategjinë e saj aktuale, përfshirë mundësinë e kufizimit të shpenzimeve.
Një ndryshim i tillë mund të ndikojë përtej vetë Nvidia-s, duke ngadalësuar investimet në sektorin e inteligjencës artificiale dhe duke sjellë pasoja më të gjera për ekonominë. Megjithatë, Coatsworth thekson se është ende herët të përcaktohet shkalla e ndikimit që mund të ketë largimi i tij.
“Nëse kompania vendos të ndjekë një qasje shumë më të kujdesshme ndaj investimeve, kjo mund të shkaktojë një efekt zinxhir. Kompanitë e ndryshme që merren me ndërtimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale mund të gjenden papritur pa një burim të rëndësishëm financimi”, shprehet ai.
Nga ana tjetër, Kunjan Sobhani, analist i lartë i industrisë së teknologjisë në Bloomberg Intelligence, vlerëson se ndikimi i largimit të Huangut do të jetë “i kufizuar” në periudhën e afërt. Kjo, pasi Nvidia ka tashmë angazhime të shumta dhe një numër të madh porosish që presin të përmbushen.
Megjithatë, ai paralajmëron se pasojat mund të bëhen më të dukshme në planin afatgjatë, në varësi të drejtimit strategjik që do të marrë kompania.
Rrjeti i ndërlikuar i financimit
Gjatë rrugëtimit drejt majave të industrisë së inteligjencës artificiale, Nvidia ka ndërtuar një rrjet kompleks marrëveshjesh financiare, përmes një praktike të njohur si “financim qarkor”.
Kompania nuk mjaftohet vetëm me shitjen e mikroçipave për klientët e saj, ndër të cilët janë Meta, SpaceX dhe OpenAI. Ajo gjithashtu financon këto kompani, si dhe biznese të tjera që janë pjesë e zinxhirit të furnizimit, qoftë përmes kredive apo investimeve të drejtpërdrejta.
Kjo praktikë ka ngjallur shqetësim te disa investitorë, të cilët shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse Nvidia do të vendoste të tërhiqej nga këto angazhime financiare.
Nëse kompania do të kufizonte investimet, a do të detyroheshin bizneset e tjera në zinxhirin e furnizimit të ulnin shpenzimet apo edhe të shkurtonin vendet e punës? Dhe a mund të përhapej ky efekt në pjesë të tjera të ekonomisë amerikane?
Ndoshta pikërisht ky rrezik shpjegon edhe thirrjet e disa drejtuesve të njohur të industrisë së teknologjisë, përfshirë Elon Musk dhe Tim Sweeney, drejtor ekzekutiv i Epic Games, kompanisë që qëndron pas videolojës së njohur Fortnite, për rikthimin e Huangut në krye të Nvidia-s.
Musk paralajmëroi se largimi i Huangut mund të çonte në humbjen e “marrëveshjeve thelbësore” që lidhen me teknologjinë e Nvidia-s. Ndërkohë, aksionarët dhe mbështetësit e tij kanë nisur një fushatë me sloganin “Rikthejeni Jensenin”, duke kërkuar rikthimin e tij në drejtimin e kompanisë.
Vetë Huangu ka deklaruar se është i hapur për mundësinë e rikthimit në Nvidia, vetëm pak ditë pas dorëheqjes.
Coatsworth thotë se nuk ka hasur më parë në një praktikë të tillë të financimit qarkor në përmasa kaq të mëdha. Megjithatë, ai thekson se në treg ka edhe kompani të tjera konkurruese, të cilat mund të ndihmojnë në ruajtjen e ritmit të zhvillimit të industrisë së inteligjencës artificiale, në rast se Nvidia e ngadalëson aktivitetin e saj.
Pas rënies së ndjeshme të aksioneve të Nvidia-s, të shkaktuar nga zbulimet për marrëdhëniet jashtëmartesore të Huangut, aksionet e prodhuesve rivalë të gjysmëpërçuesve, përfshirë AMD, Broadcom dhe Marvell Technology, shënuan rritje.
“Nuk besoj se e gjithë veprimtaria në fushën e inteligjencës artificiale do të ndalet nëse Nvidia e ngadalëson aktivitetin dhe tërheq një pjesë të financimit. Megjithatë, një zhvillim i tillë do të ndryshonte mënyrën se si njerëzit e perceptojnë të gjithë situatën”, shton Coatsworth.
"Asnjë drejtor ekzekutiv nuk është i pazëvendësueshëm"
Mundësia e ngadalësimit të investimeve ka shtuar shqetësimet në tregjet financiare. Pasiguria është rritur edhe pas fitoreve të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, pasi shumë prej kandidatëve të tyre kishin premtuar se do të angazhoheshin për rregulla më të rrepta ndaj kompanive të inteligjencës artificiale.
Një tjetër shqetësim lidhet me faktin nëse investimet marramendëse në këtë teknologji do të sjellin vërtet fitimet që kompanitë dhe investitorët presin prej tyre.
Sipas vlerësimeve të bankës investuese Goldman Sachs, investimet në inteligjencën artificiale pritet të tejkalojnë një trilion dollarë gjatë vitit 2026. Banka parashikon se kjo teknologji do të vazhdojë të jetë “faktori kryesor nxitës i rritjes së investimeve të bizneseve” edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, drejtuesja e përkohshme e Nvidia-s, Colette Kress, ka deklaruar se aktiviteti i kompanisë po vazhdon normalisht edhe pas largimit të Huangut dhe se planet për rritje të shpejtë mbeten të pandryshuara.
Vlera e lartë e aksioneve të gjigantëve të teknologjisë ka ndihmuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë amerikane përballë goditjeve të jashtme ekonomike, përfshirë tarifat tregtare. Këto kompani kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e investimeve dhe të fondeve pensionale të miliona njerëzve në mbarë botën.
Megjithëse Huangu ka deklaruar se do ta konsideronte nder rikthimin në kompani, bordi drejtues i Nvidia-s ka bërë të ditur se nuk po e shqyrton një mundësi të tillë.
Coatsworth vlerëson se “asnjë drejtor ekzekutiv nuk është i pazëvendësueshëm”, por pranon se personi që do të marrë drejtimin e Nvidia-s pas Huangut do të përballet me një presion të madh. /Telegrafi/





























