
Kongresmeni demokrat Robert Garcia, i cili pritet të bëhet kryetar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, u ka dërguar një duzinë letrash personave të afërt me presidentin Donald Trump, duke i paralajmëruar për hetime të ardhshme lidhur me pretendimet për korrupsion, ndërsa amerikanët vijojnë të shqetësohen për koston e jetesës.
Garcia nuk humbi kohë dhe i dërgoi paralajmërimet të mërkurën, disa javë përpara se demokratët të merrnin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, shkruan Breitbart.
Letrat iu drejtuan anëtarëve të familjes së presidentit Donald Trump, përfshirë djemtë e tij, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, si dhe ish-zyrtarëve, përfshirë ish-ambasadoren e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ish-sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dhe ish-këshilltarin e lartë të Sigurisë Kombëtare, Corey Lewandowski.
Mes personave të tjerë që morën letra janë dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, drejtoresha ekzekutive e organizatës Trust for the National Mall, Catherine Townsend, drejtori i Byrosë së Burgjeve, William Marshall, prokurori i përgjithshëm Todd Blanche, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, madje edhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Në letër, Garcia i justifikoi hetimet e shumta duke pretenduar se amerikanët u kanë dhënë demokratëve një “mandat të gjerë për të çrrënjosur korrupsionin”, përmes rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit.
Ai vijoi: “Ne synojmë ta përmbushim këtë mandat në Kongresin e 120-të, duke kryer mbikëqyrjen jashtëzakonisht të rëndësishme, të domosdoshme për reformën legjislative.”
Shumë republikanë kishin paralajmëruar se do nisnin hetime të pafundme nëse demokratët merrnin pushtetin.
“Ata marrin funksionin e mbikëqyrjes, që është një detyrë kushtetuese që kemi, dhe e kthejnë atë në një instrument përndjekjeje politike, në një shkallë të paprecedentë. Mund ta shihni që tani Jamie Raskin, homologu im në Komitetin e Gjyqësorit, po përgatitet”, paralajmëroi në shtator kongresmeni Jim Jordan.
“Vetëm sepse je Kimberly Guilfoyle, ose Kristi Noem, ose Pam Bondi dhe nuk je më në detyrë, kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi ende të interesuar për përgjegjësinë lidhur me të gjitha krimet dhe përfitimet e paligjshme që keni përfituar. Ne nuk do t’i harrojmë”, tha Garcia gjatë një aktiviteti të fundit Crooked Con në Uashington.