Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata turke tjetër dënim me burg e ndalim politik për kundërshtarin e Erdoganit


Një gjykatë turke ka dënuar kryebashkiakun e burgosur të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, me dy vite të tjera burg për shkelje të ligjit zgjedhor dhe i ka vendosur një ndalim të ri politik, raportuan mediat lokale.

İmamoğlu ishte një nga nëntë të pandehurit e dënuar me dy vite e një muaj burg në një çështje që lidhet me kongresin e Partisë Republikane Popullore (CHP) të opozitës, të mbajtur në nëntor 2023, raportoi transmetuesi shtetëror TRT Haber.

CNN Türk dhe media të tjera raportuan se gjykata i vendosi İmamoğlu-t një ndalim politik. Përpara arrestimit, ai shihej si kundërshtari potencial kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Të pandehurit akuzoheshin se kishin ofruar përfitime të parregullta për të nxitur njerëzit të votonin për Özgür Özel, kur CHP-ja e zgjodhi atë kryetar në kongresin e vitit 2023. Ata i mohuan akuzat, shkruan Ekathimerini.

Gjykatat i kishin vendosur më parë İmamoğlu-t ndalime politike në vitet 2022 dhe 2025, si dhe e kishin dënuar me më shumë se gjashtë vite burg. Ai po apelon kundër të dy ndalimeve të mëparshme.

İmamoğlu ishte dënuar më parë edhe në disa çështje të tjera dhe në mars doli përpara gjykatës në një proces të gjerë për korrupsion, ku janë të përfshirë më shumë se 400 të pandehur dhe që lidhet me Bashkinë e Stambollit. Ai i mohon akuzat për korrupsion, të cilat parashikojnë dënime me burg që arrijnë në qindra vite.