Në javët e fundit të mandatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, mazhoranca dhe opozita kanë vendosur t’u drejtohen organizmave ndërkombëtarë për të avancuar procesin, pas një viti të shoqëruar kryesisht me debate politike dhe mungesë rezultatesh konkrete.
Pas diskutimeve mes anëtarëve, komisioni vendosi t’i kërkojë përfaqësisë së OSBE-së një ekspert që të asistojë në shqyrtimin e propozimeve ligjore që pritet të paraqesë opozita. Gjithashtu, do t’i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion për draft-projektligjin e hartuar me konsensus politik për financimin e partive politike.
Vendimi vjen në një kohë kur komisionit i kanë mbetur vetëm javët e fundit të afatit ligjor të funksionimit. Pavarësisht se kishte në dispozicion një vit për të realizuar reformën, puna e tij është karakterizuar kryesisht nga përplasjet politike.
Në mbledhjen e fundit, opozita kërkoi një reformë tërësore të Kodit Zgjedhor, me synimin për të ndarë shtetin nga partia dhe për të parandaluar përdorimin e burimeve publike gjatë fushatave elektorale.
Bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, deklaroi se Partia Demokratike kishte përgatitur një nismë ligjore të mbështetur në standardet e OSBE/ODIHR-it, rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe gjetjet e raportit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Në këtë raport janë evidentuar problematika që lidhen me mungesën e kushteve të barabarta të konkurrimit, përdorimin e burimeve publike dhe presionin ndaj punonjësve të administratës.
Më herët, Bylykbashi kishte prezantuar së bashku me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, dokumentin “Qëndrimi horizontal – Ndarja e shtetit nga partia në procesin zgjedhor”.
Sipas propozimit të demokratëve, institucionet publike, administrata qendrore dhe vendore, ndërmarrjet publike dhe funksionarët nuk duhet të përdorin autoritetin, fondet, pasurinë, personelin, informacionin apo prestigjin e funksionit publik për të favorizuar ose dëmtuar një subjekt politik, apo për të ndikuar te zgjedhësit.
Bylykbashi vlerësoi se asistenca e OSBE-së do të ndihmonte komisionin të përparonte gjatë ditëve të mbetura të punës.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri i cilësoi propozimet e paraqitura nga PD-ja si “dëshira politike” dhe kërkoi që demokratët të dorëzonin dispozita konkrete ligjore, mbi të cilat të mund të punonin ekspertët.
Gjiknuri u shpreh skeptik për mundësinë e arritjes së një kompromisi brenda dy javëve të mbetura, megjithëse deklaroi se mazhoranca ishte e hapur të shqyrtonte çdo propozim në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Sipas tij, ishte e vështirë që “mrekullia të ndodhte brenda dy javësh”.
Komisioni vendosi gjithashtu të dërgojë për konsultim në Komisionin e Venecias draft-projektligjin për financimin e partive politike, të hartuar më herët me konsensus politik. Ky draft ishte kritikuar nga ekspertët e ODIHR-it dhe organizatat e shoqërisë civile.
Krasniqi: Kërkesa për ndihmë ndërkombëtare, përpjekje për të fituar kohë
Për ekspertët e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, kërkimi i zgjidhjeve ndërkombëtare në fund të mandatit të komisionit shihet si një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për mosrealizimin e reformës.
Drejtori i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, i tha BIRN se reforma nuk kishte qenë prioritet për asnjërën prej partive politike dhe se, për këtë arsye, nuk pritej që mandati i komisionit të prodhonte një reformë reale.
Sipas tij, kërkesa për opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë në këtë fazë është një përpjekje për të fituar kohë dhe jo për të përmirësuar standardet e reformës. Krasniqi theksoi se komisioni kishte pasur buxhetin, ekspertët, kohën dhe mekanizmat e nevojshëm për të hartuar propozime konkrete, por nuk kishte arritur të prodhonte rezultate.
Ai argumentoi se palët po përpiqen të kalojnë afatet dhe t’ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës, pasi nuk janë të gatshme të ndërmarrin një reformë reale në prag të zgjedhjeve vendore. Sipas tij, skenari duket se synon shtyrjen e procesit dhe rikthimin e komisionit pas zgjedhjeve, me shpresën për të negociuar një kompromis të ri politik.
“Është përgjegjësi e të dyja palëve që t’u përgjigjen kritikave të adresuara në progresraportin e Komisionit Europian për realizimin e kësaj reforme. Nuk mund të përdoret si alibi vendosja e kushteve që palët i vënë njëra-tjetrës për të penguar procesin”, theksoi Krasniqi.
Ai paralajmëroi se zvarritja e reformës lë pa zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe angazhimet e Shqipërisë, si vend kandidat për në Bashkimin Europian, për të garantuar zgjedhje sipas standardeve demokratike.
Krasniqi e cilësoi të pakuptimtë faktin që komisioni, pavarësisht ekspertëve me përvojë dhe mundësisë për të përfshirë anëtarët e tij në hartimin e drafteve konkrete, nuk kishte arritur të prodhonte një dokument që t’u nënshtrohej diskutimeve me grupet e interesit.
Ai e përshkroi situatën si një “dështim të përsëritur” dhe si tregues të mungesës së vullnetit të establishmentit politik për të ndryshuar rregullat e lojës.
Sipas tij, partitë e mëdha kanë interes të ruajnë monopolin mbi procesin zgjedhor, nga konkurrimi dhe administrimi i zgjedhjeve deri te përzgjedhja e strukturave të tjera përmes negociatave parlamentare, duke kufizuar hapësirën për partitë e reja dhe konkurrencën politike.
“Është bërë praktikë që komisionet të ngrihen për të mos zgjidhur problemet. Ka ardhur koha që komisionet që paguhen me taksat e qytetarëve të japin llogari dhe jo thjesht të shtyjnë proceset pa prodhuar rezultate”, përfundoi Krasniqi./BIRN












