Buleshkaj: Agjencisë i është hequr mandati për hetimet paraprake për çfarëdo pretendimi për korrupsion
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka treguar se qysh në vitin 2022 me ndryshimin e legjislacionit, Agjencisë i është larguar kompetenca për hetime paraprake për çfarëdo pretendimi për korrupsion.
Ai ka thënë se deri në vitin 2022 janë dërguar goxha shumë raste në prokurori për shkak të menaxhimit joadekuat të pronës komunale nga kryetarët e komunave.
“Në vitin 2022, kur ka ndryshuar legjislacioni për Agjencinë, janë shtuar goxha shumë mandate e numra, por na është larguar një kompetencë që ka qenë shumë e rëndësishme. Hetimet paraprake për çfarëdo lloj pretendimi për korrupsion. Është hequr për shkak të siç ishte thënë saktësimit të mandatit. Të dihet se mandati është i policisë dhe prokurorisë, ndërsa Agjencisë i është larguar ai mandat. Deri në fund të vitit 2022 kemi dërguar goxha shumë raste në prokurori për shkak të menaxhimit joadekuat të pronës komunale nga kryetarët e komunave”, ka thënë Buleshkaj në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka treguar një rast kur një kolegu nga Agjencia i kishte thënë një kryetar i komunës se “më mirë të shkonte në prokurori për aq pak para sesa të humbte potencialisht elektoratin që mund të jetë nga ato prona që i shfrytëzojnë”.
“Ka mjaft shumë punë. Raporti i Progresit e njeh këtë si problem, menaxhimi i pronës publike nga institucionet, e njeh si një nga problemet kryesore. Agjencia ka tentuar të merret me të më herët, tashmë merret vetëm nëse rastet hynë brenda mandatit të saj”, tha Buleshkaj.
Ai ka thënë se vërehet se policia e krimeve ekonomike dhe anti-korrupsion po ngarkohet më shumë me raste të shkeljeve administrative, pretendime që dërgon gjithkush, pasi nuk ka vendimmarrje paraprake se çka është një shkelje administrative e çka mund të jetë potencialisht vepër penale.
“Ata përfundojnë duke mbyllur aq shumë raste, sepse nuk janë tek e fundit shkelje. Shumica e pretendimeve që janë në procedura rekrutimit, tenderimit, mund të jenë shkarje administrative që dënohen, personat që kanë realizuar ato mund të penalizohen në aspektin administrativ me masa disiplinore. Por, ata përfundojnë duke u trajtuar në aspektin kriminal dhe lirohen si të pafajshëm. As nuk dënohen nga institucionet gjegjëse për trajtim, trajtohen në mënyrë të gabuar. Ne përfundojmë nganjëherë duke u marrë me vepër penale që nuk është në mandatin tonë, e policia e prokuroria merren me shkelje administrative që nuk është në mandatin e tyre”, tha Buleshkaj.
Ramaj: Ristrukturimi i Krimeve Ekonomike në Polici nuk dha rezultat
Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se ndryshimet e bëra në Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme në luftën kundër korrupsionit.
Ramaj ka thënë se shumica e hetuesve që ishin pjesë e kësaj njësie para katër vjetësh janë shpërndarë në drejtori dhe stacione të tjera policore. Sipas saj, ndryshimi i strukturës ishte bërë me pritjen që një organizim i ri do të sillte më shumë efikasitet, por rezultatet aktuale, siç tha ajo, nuk janë as të përafërta në nivelin e atyre të mëparshme.
“Ndryshimet që janë bërë në Krimet Ekonomike, shumica e hetuesve që kanë qenë para katër vjetësh nuk janë në Krime Ekonomike, janë në drejtori të ndryshme, stacione të ndryshme, sepse ideja me ndryshu strukturë është pritur që do të vijë me një zëvendësim të një strukture që të jetë më efektive, por nëse i shohim cilat rezultate janë sot të Policisë Ekonomike, as përafërt nuk e kanë rezultatin e atyre paraprak”, ka deklaruar Ramaj në “Konfront” të KTV-së.
Ramaj ka thënë se nuk ka prova që ndryshimet në këtë njësi janë ndikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, por është shprehur e bindur se ai ka qenë në dijeni për zhvillimet.
Ajo ka theksuar se institucionet e drejtësisë duhet të vlerësohen në bazë të rezultateve në trajtimin e rasteve të mëdha të korrupsionit.
“Institucionet e drejtësisë, ato të cilat janë të pavarura, absolutisht duhet me u mat me rastet e mëdha. Për një pjesë të madhe të rasteve të korrupsionit ose ka vendim shfajësues, ose ndoshta tashmë më pak parashkrime shkaku i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që e kanë rrit periudhën për sa mundet me u ba parashkrimi”, shtoi Ramaj.
Ajo gjithashtu ka kritikuar gjithashtu qasjen e ekzekutivit ndaj raporteve që matin nivelin e korrupsionit, duke thënë se Qeveria merr meritat kur vlerësimet janë pozitive, ndërsa kur raportet janë negative, përgjegjësia u atribuohet institucioneve të pavarura.
Gashi: Njësia e Krimeve Ekonomike dhe prokurorët e korrupsionit të japin llogari për mungesë rezultatesh
Gazetari Kreshnik Gashi ka thënë se njësia e krimeve ekonomike dhe financiare në kuadër të Policisë së Kosovës dhe prokurorët që merren me rastet e korrupsionit, janë ata që duhet të japin llogari për mungesë rezultatesh në luftën kundër korrupsionit.
Ai ka thënë se në studiot televizive kurrë nuk shihen këta njerëz duke dhënë llogari pse dështojnë.
“Kur themi dështojnë, po e themi sepse edhe Raporti i Progresit po e konstaton...Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë kush janë liderët e hetimit të korrupsionit në këtë vend. E unë mendoj se liderë me hetu korrupsionin në këtë vend janë prokurorët e shtetit dhe njësia e krimeve ekonomike e financiare në kuadër të Policisë së Kosovës. Ata duhet të japin llogari në vazhdimësi për punën e tyre që s’po ka rezultate”, ka thënë Gashi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se shefat e task-forcave duhej të ishin fytyra publike, siç është në Shqipëri shefi i SPAK-ut apo si ndodh edhe me vendet tjera.
“Ata fshihen se nuk kanë rezultate. Për me nxjerr rezultate në hetim të korrupsionit në Kosovë duhet shumë sakrificë. Për me arritur te rezultatet fillestare në trajtimin e korrupsionit në këtë vend, duhet të shohim te lëndët e mëdha në Kosovë që kanë mbetur pa u hetuar...Kontrata e autostradës ‘Ibrahim Rugova’ që nuk është hetuar kurrë, nuk ka qenë kurrë transparente”, ka thënë Gashi, i cili ka thënë se ende nuk dihet se sa ka kushtuar një kamion zallë për ndërtimin e autostradës.