1 milion dollarë për audicionin e James Bond-it të ri, si siguroi Robert Pattinson rolin ikonik

19 Nëntor 2026 | 03:10

Shuma marramendëse prej një milion dollarësh iu dha Robert Pattinson vetëm për të marrë pjesë në audicionin për rolin e James Bond, përpara se të përzgjidhej si agjenti i ri 007.

Aktori 40-vjeçar, i cili u shpall zyrtarisht të hënën, si pasardhës i Daniel Craig, mund të përfitojë një shumë totale që i afrohet 100 milionë dollarëve, sipas vlerësimeve financiare të publikuara në mediat britanike.

Ylli i Hollivudit nuk ishte fillimisht ndër emrat favoritë për rolin ikonik. Sipas raportimeve të mëparshme, lista fillestare e kandidatëve përfshinte Jack Lowden, Callum Turner dhe Josh O’Connor. Megjithatë, Pattinson hyri në garë në momentet e fundit dhe arriti të triumfonte, duke siguruar një nga rolet më të lakmuara në historinë e kinematografisë.

Sipas gazetës Mirror, producentët nuk u tërhoqën nga ideja për t’i ofruar Pattinson një pagesë shumë më të lartë, ndonëse fillimisht po shqyrtonin mundësinë e përzgjedhjes së aktorëve më pak të njohur për këtë rol.

Vlerësimet financiare e vendosin pagesën e tij totale mes 58 dhe 75 milionë paundëve, ose rreth 76 deri në 98 milionë dollarëve.

Sipas raportimeve, aktori ka siguruar një marrëveshje për tri filma, me kushte financiare më të favorshme se ato që u ishin ofruar kandidatëve të tjerë. Shumat e sakta nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Amazon MGM Studios.

Interes të veçantë kanë ngjallur edhe informacionet se Lauren Sanchez, bashkëshortja e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, ka luajtur një rol vendimtar në përzgjedhjen përfundimtare të Pattinson.

Sipas një artikulli të publikuar nga The Times, Sanchez u impresionua nga aktori pasi pa një video të audicionit të tij, të cilën ia kishte treguar bashkëshorti.

Burime pranë çiftit pretendojnë se ajo e cilësoi Pattinson si një aktor jashtëzakonisht tërheqës dhe joshës, duke vlerësuar se ai kishte kombinimin e duhur të pamjes, karizmës dhe talentit artistik për të interpretuar agjentin e famshëm.

Vetë Bezos konfirmoi se kishte qenë aktivisht i përfshirë në procesin e përzgjedhjes së James Bond-it të ri, duke deklaruar se kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje.

Themeluesi i Amazon, e cila fitoi kontrollin krijues të serisë së filmave pas marrëveshjes me familjen Broccoli, zbuloi gjithashtu se procesi i përzgjedhjes kishte qenë veçanërisht kërkues.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga rrugët e Lagosit në pasarelën e Chanel, si stili i Rachel Ojuromi e çoi atë në Paris

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Ojuromi ka pushtuar rrjetet sociale, duke i transformuar rrugët plot jetë të Lagosit në pasarelën e saj personale, duke shfaqur...
02:30 | 19/11/2026

Bullgaria zbulon një operacion pesëvjeçar të spiunazhit kibernetik

Bullgaria ka zbuluar një operacion pesëvjeçar hakerimi që kishte aksesuar dhjetëra miliona faqe dokumentesh në një gamë të gjerë bazash të dhënash qeveritare, tha të...
01:43 | 19/11/2026

Raporti: Myslimanët pritet të tejkalojnë të krishterët deri në vitin 2035, duke u bërë feja më e madhe në botë

Islami pritet ta tejkalojë Krishterimin si feja më e madhe në botë deri në vitin 2035, sipas parashikimeve të detajuara të publikuara të mërkurën nga...
01:10 | 19/11/2026