Thursday / November 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Energji Lajmet Kryesore Nga Vendi

Nga falimentimi te shkeljet e kushteve, ERE përcakton rastet e heqjes së licencave në energji

Share Share Icon

Kompanitë e sektorit të energjisë elektrike mund të humbasin licencën nëse bëhen financiarisht të paafta, kërkojnë shpalljen e falimentimit, nuk paguajnë detyrimet rregullatore ose shkelin kushtet e ushtrimit të aktivitetit.

Heqja e licencës parashikohet edhe për operatorët që shkelin legjislacionin mjedisor apo rrezikojnë jetën, shëndetin dhe pronën e njerëzve.

Këto janë disa nga rastet e përcaktuara në draft-rregulloren e publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), e cila përcakton procedurat që do të ndiqen për heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike, në zbatim të ligjit nr. 59/2026.

Sipas dokumentit, licenca mund të hiqet edhe kur një kompani pushon së ushtruari veprimtarinë për të cilën është licencuar ose kërkon vetë revokimin e saj.

ERE përcakton se shqyrtimi i rasteve duhet të mbështetet në prova dhe dokumente të administruara gjatë procedurës, përfshirë informacionet e institucioneve kompetente. Në vlerësimin e shkeljeve, rregullatori duhet të marrë parasysh “natyrën e shkeljes, kohëzgjatjen, përsëritjen, pasojat, rrezikun aktual ose të pritshëm dhe çdo masë korrigjuese të ndërmarrë nga i licencuari”.

Procedura për heqjen e licencës mund të nisë nga vetë ERE, në bazë të rezultateve të monitorimit, kontrolleve periodike, raportimeve të institucioneve kompetente apo informacioneve të paraqitura nga operatorët dhe palët e treta. Pas vendimit për nisjen e procedurës, kompania njoftohet me shkrim për shkeljet e konstatuara, provat dhe pasojat e mundshme. Operatori ka 30 ditë kalendarike për të paraqitur shpjegime, kundërshtime dhe dokumente mbështetëse.

Brenda 30 ditëve nga marrja e përgjigjes ose përfundimi i afatit për paraqitjen e saj, strukturat përgjegjëse të ERE-s duhet të përgatisin relacionin përfundimtar. Ky afat mund të zgjatet në rastet kur nevojiten verifikime shtesë.

Bordi i ERE-s merr vendim brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e relacionit, kur dosja është e plotë. Nëse shkeljet nuk provohen, procedura mbyllet, ndërsa në rastet kur korrigjimi është i mundur dhe lejohet nga ligji, operatorit mund t’i jepet një afat për përmbushjen e detyrimeve.

Kur provohen kushtet ligjore për heqjen e licencës, Bordi vendos ndërprerjen e së drejtës për ushtrimin e aktivitetit. Në rastet kur heqja e licencës mund të cenojë vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike, draft-rregullorja parashikon masa të përkohshme për kompanitë e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, depozitimit dhe furnizimit.

Këto masa përfshijnë “vendosjen e shoqërisë nën administrim të kufizuar për një periudhë të caktuar” ose “caktimin e një shoqërie tjetër që plotëson kushtet përkatëse të licencimit për kryerjen e veprimtarisë”.

ERE mund të vendosë gjithashtu emërimin e një administratori të përkohshëm, me propozimin e ministrit përgjegjës dhe sipas procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Masat nuk mund të zgjasin më shumë se 12 muaj nga data e heqjes së licencës. Heqja e licencës nuk i përjashton kompanitë nga detyrimet e krijuara gjatë ushtrimit të aktivitetit.

“Vendimi për heqjen e licencës nuk e çliron të licencuarin nga detyrimet financiare, kontraktore, administrative ose ligjore të lindura deri në datën efektive të heqjes së licencës”, përcakton dokumenti. Vendimet e ERE-s mund të ankimohen në gjykatë, por ankimi nuk pezullon automatikisht zbatimin e tyre, përveç rasteve të parashikuara nga ligji ose kur vendos gjykata./ N.Maho

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Eurobank blen 65% të Fibank, që ka degë dhe në Shqipëri

Eurobank, grupi bankar grek, ka arritur marrëveshje për blerjen e 65% të aksioneve të First Investment Bank (Fibank), banka e pestë më e madhe në B...

12 hours më parë 2 Min Lexim

Varianti final i dividendit, ministri Malaj: Fitimet para 2027-s tatohen me 8%

Nga 1 janari 2027, tatimi mbi dividendin për bizneset është propozuar të rritet nga 8% në 15%. Gjatë seancës në Kuvend, ministri i Financave Petrit...

14 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!