Musk pendohet për gati gjysmë miliardi dollarë të shpenzuara në zgjedhjet e mesmandatit: Ndihem shumë budalla

19 Nëntor 2026 | 07:45

Miliarderi ultrakonservator Elon Musk pranoi të mërkurën, se “ndihet shumë budalla” që shpenzoi gati gjysmë miliardi dollarë për të financuar fushatat e kandidatëve republikanë në zgjedhjet e mesit të mandatit, të mbajtura më 3 nëntor, në të cilat fituan bindshëm demokratët.

“Ndihem shumë budalla që shpenzova kaq shumë para dhe pashë kaq pak rezultate, ose ndoshta gjërat do të kishin shkuar edhe më keq pa këtë mbështetje”, u shpreh njeriu më i pasur në botë gjatë aktivitetit DealBook, organizuar nga gazeta The New York Times.

Deklaratën e tij e bëri përmes një lidhjeje me video nga Kina, ku ndodhet në shoqërinë e presidentit amerikan Donald Trump.

Qëllimi ishte që Partia Republikane të kontrollonte Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, ai shtoi se nuk do të dëshironte që asnjëra nga dy partitë të kishte një shumicë dërrmuese.

Rezultati i zgjedhjeve “tregon qartë se zgjedhjet nuk janë vetëm çështje parash. Mund të investosh shumë para në një fushatë elektorale dhe të marrësh rezultate relativisht të dobëta”.

“Nëse do të mund ta ktheja kohën pas, do të shpenzoja më pak”, tha ai. Gjithashtu, do t’u kushtonte më pak kohë personale zgjedhjeve, pasi është i përqendruar te kompanitë e tij, si SpaceX dhe Tesla.

Në çdo rast, theksoi ai, “disa njerëz” vazhdojnë të “ankohen” për shumat e parave që ai shpenzoi gjatë zgjedhjeve.

Konkretisht, Musk shpenzoi më shumë se 220 milionë dollarë për të mbështetur ish-prokurorin e përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton, në përpjekjen e tij për t’u zgjedhur në Senat. Por vendin e tij do ta marrë kandidati demokrat 37-vjeçar, James Talarico, i cili është relativisht i ri në politikë.

Selia e kompanive të Elon Musk, përfshirë SpaceX dhe Tesla, ndodhet në Austin të Teksasit. Këto kompani kanë ndërtuar ose janë duke ndërtuar komplekse gjigante prodhimi në këtë shtet, për automjete, mikroçipa dhe produkte të tjera.

I pyetur nëse ishte i shqetësuar për guvernatoren e ardhshme demokrate të Teksasit, Gina Hinojosa, e cila në janar do të zëvendësojë republikanin Greg Abbott, Musk tha se pret që ajo të jetë “mjaft e moderuar”.

“Nuk mendoj se ajo do të jetë një guvernatore e së majtës ekstreme. Nga ato që kam dëgjuar për të, mendoj se gjërat do të shkojnë mirë në Teksas me Ginën si guvernatorë”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump vlerëson pritjen madhështore nga Xi Jinping dhe zbulon detaje nga takimi me Putinin përpara bisedimeve trepalëshe

Presidenti i SHBA-së Donald Trump e vlerësoi pritjen bujare që udhëheqësi kinez Xi Jinping i bëri atij si një “fitore të madhe” të enjten, përpara...
07:35 | 19/11/2026

Tenisti i famshëm Alexander Zverev paditet për dhunë nga ish-partnerja e tij gjatë turneut ATP Finals

Alexander Zverev u njoftua zyrtarisht për një padi të ngritur nga ish-partnerja e tij gjatë mesit të finaleve të ATP-së, të mërkurën. Padia e fundit...
06:29 | 19/11/2026

Arrestohet në Ukrainë i dyshuari për mijëra kërcënime me bomba ndaj shkollave evropiane

Një person i dyshuar për një seri kërcënimesh me bomba që synonin shkolla në Republikën Çeke, Sllovaki dhe Letoni u arrestua në Ukrainë, tha të...
05:25 | 19/11/2026