Trump takohet me Putinin në Kinë: Ai është miku im! Kremlini thotë se lideri rus u largua në humor të shkëlqyer

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, zhvilluan një takim dypalësh në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut. Bisedimet zgjatën rreth 40 minuta dhe në fokus të tyre ishte lufta në Ukrainë.
Para takimit, Trump iu referua Putinit si “miku im”, ndërsa gjatë hyrjes në sallë, teksa pa presidentin rus, deklaroi: “Kush është ky? Ai është një mik i imi”.
Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes dy liderëve që nga takimi i tyre në Alaskë vitin e kaluar, i cili përfundoi pa një marrëveshje për luftën në Ukrainë.
Pas bisedimeve, Trump u shpreh optimist për rezultatet e mundshme, duke deklaruar se nga takimi mund të dalin “shumë gjëra të mëdha”.
“Kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer për shumë vite. E njohim njëri-tjetrin prej kohësh dhe mendoj se shumë gjëra të shkëlqyera mund të dalin nga ky takim, ose të paktën mund të hedhim themelet që ato të ndodhin. Jam i bindur se do të ndodhë”, deklaroi presidenti amerikan.
Ndërkohë, nga Kremlini u bë e ditur se Vladimir Putin u largua nga takimi në një “gjendje shpirtërore të shkëlqyer”.
Sipas raportimeve të Reuters, çështja ukrainase ishte tema kryesore e diskutimeve mes dy presidentëve, megjithëse deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje konkrete për ndonjë marrëveshje apo rezultat të arritur.
Pas takimit, Trump përsëriti optimizmin e tij, duke lënë të kuptohet se bisedimet mund të hapin rrugën për zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.




