Trump-Xi takim në Kinë, Presidenti amerikan: Miqësia jonë po bëhet gjithnjë e më e ngushtë

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, zhvilluan një takim dypalësh në Shenzhen të Kinës, në margjinat e samitit të APEC-ut, ku në fokus ishin marrëdhëniet mes dy fuqive, tregtia ndërkombëtare dhe zhvillimet gjeopolitike.
Gjatë takimit, Trump foli me tone lavdëruese për homologun kinez, duke vlerësuar marrëdhënien personale mes tyre.
“Miqësia ime me Xi Jinping po bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Është vërtet e mrekullueshme”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump e cilësoi marrëdhënien me Xi-n si “shumë të veçantë”, ndërsa u shpreh i bindur se për sa kohë që të dy do të jenë në pushtet, nuk do të ketë probleme mes Uashingtonit dhe Pekinit.
“Unë besoj se për sa kohë që unë dhe ju jemi në pushtet, nuk do të kemi kurrë probleme”, i tha Trump homologut të tij kinez.
Presidenti amerikan zbuloi gjithashtu se dy liderët kishin zhvilluar një bisedë rreth dy orë gjatë natës para takimit zyrtar. Ai vlerësoi rolin e SHBA-së dhe Kinës në çështjet ndërkombëtare, duke theksuar se dy vendet kanë mundësi të ndikojnë në fusha të rëndësishme, nga tregtia dhe investimet deri te paqja botërore.
“Nuk ka askush tjetër, askund në botë, që mund të bëjë atë që mund të bëjmë ne”, deklaroi Trump.
Një nga çështjet e para konkrete që presidenti amerikan ngriti gjatë bisedimeve ishte rritja e blerjeve kineze të produkteve bujqësore amerikane. Trump kërkoi që Pekini të bëjë më shumë për fermerët amerikanë, duke iu referuar kërkesës së madhe të tregut kinez për këto produkte.
“Do t’ju kërkoj të bëni diçka më shumë për fermerët tanë”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Xi Jinping deklaroi se ishte plotësisht i përkushtuar për të punuar së bashku me presidentin amerikan.
Sipas raportimeve të Reuters, gjatë bisedimeve u prekën edhe zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë. Trump u shpreh se të dy liderët kërkojnë të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.
Pas përfundimit të takimit dypalësh, Trump dhe Xi vijuan me një drekë në Kylin Villa, një resort luksoz me pesë yje.
Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur te takimi i shumëpritur trepalësh mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Sipas raportimeve, bëhet fjalë për takimin e parë zyrtar mes tre liderëve, në një moment kur marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lufta në Ukrainë janë ndër çështjet kryesore të agjendës diplomatike.




