Komisioni Europian u përball me një sulm të rëndë kibernetik, që ka ngritur shqetësime për mundësinë e vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të të dhënave personale të punonjësve të institucionit. Sulmi ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të brendshme për më shumë se 10 ditë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar plotësisht përmasat e dëmit.
Sipas “Politico”-s, sulmi u zbulua në fillim të këtij muaji nga shërbimi i sigurisë kibernetike të institucioneve të Bashkimit Europian, CERT-EU. Dyshohet se hakerët ndërkombëtarë përdorën ARTEX, mjet me Inteligjencë Artificiale, i disponueshëm publikisht dhe i projektuar për të identifikuar dobësitë në sistemet informatike.
Një zyrtar i BE-së i tha Politico-s se Komisioni beson se ka arritur të përmbajë pjesën më të madhe të sulmit, por shkalla e plotë e dëmit mbetet e paqartë.
Pasojat janë ndjerë veçanërisht në dy platformat e brendshme të institucionit.
Bëhet fjalë për Sysper, sistemin e burimeve njerëzore ku punonjësit menaxhojnë pagat, lejet dhe fletët e orarit të punës, si dhe MyPMO, që përdoret për rimbursimin e shpenzimeve mjekësore.
Ndërkohë, përballë situatës, Komisioni Europian ka aktivizuar mekanizmat e brendshëm të menaxhimit të krizave. Sipas një email-i të brendshëm të siguruar nga “Politico”, në fillim të muajit është thirrur me urgjencë Bordi i Menaxhimit të Korporatës, organi më i lartë i brendshëm për menaxhimin e krizave në institucion.
Zëdhënësi i Komisionit Europian, Thomas Regnier, konfirmoi për “Politico”-n se institucioni ka ndërmarrë masat e nevojshme pas zbulimit të një fushate sulmesh kibernetike.
Incidenti i fundit shton shqetësimet për sigurinë digjitale të institucioneve dhe infrastrukturave kritike në Europë, në një periudhë kur sulmet kibernetike po prekin gjithnjë e më shumë institucione shtetërore, kompani e shërbime të rëndësishme.