Gati gjysma e përdoruesve të inteligjencës artificiale lejojnë që chatbot-et t’u ndryshojnë mendjen

Gati gjysma e përdoruesve të inteligjencës artificiale lejojnë që chatbot-et t’u ndryshojnë mendjen

09:05, 19/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Inteligjenca artificiale po ndikon gjithnjë e më shumë në vendimet e amerikanëve. Sipas një studimi të ri, 44% e përdoruesve thonë se informacionet dhe rekomandimet e marra nga IA i kanë bërë të ndryshojnë një vendim që kishin planifikuar të merrnin.

Studimi, i kryer nga We are Talker me 2000 amerikanë që kishin përdorur mjete të inteligjencës artificiale për çështje personale gjatë tre muajve të fundit, zbuloi se dy në tre përdorues (65%) i kërkojnë qëllimisht IA-së të vërë në dyshim mendimet e tyre.

Disa të anketuar treguan se IA-ja i kishte ndihmuar të ndryshonin mendimin për rikthimin në universitet, të kundërshtonin një gjobë parkimi apo të blinin një makinë të përdorur në vend të një të reje.

Ky fenomen është veçanërisht i përhapur te brezat e rinj. Rreth 89% e pjesëtarëve të Gjeneratës Z dhe 84% e mijëvjeçarëve i kërkojnë IA-së të sfidojë mënyrën e tyre të të menduarit, krahasuar me 67% të Gjeneratës X dhe vetëm 34% të brezit të “babyboomers”.

Gjithashtu, 54% e përdoruesve bëjnë shpesh ose gjithmonë pyetje shtesë, në vend që të pranojnë përgjigjen e parë. Kjo shifër arrin në 72% te Gjenerata Z.

Psikologia Leslie Poston, e cila studion ndikimin e teknologjisë në të menduarit dhe vendimmarrjen, thotë se të rinjtë po e përdorin IA-në si një lloj këshilltari, duke zëvendësuar pjesërisht rolin që dikur luanin familjarët dhe mentorët.

Sipas saj, është më e lehtë t'i kërkosh një makine të kundërshtojë mendimin tënd, pa pasur frikë nga gjykimi apo pasojat në marrëdhëniet personale.

Megjithatë, ajo paralajmëron se mbetet e paqartë nëse ndryshimet e vendimeve sjellin rezultate më të mira apo thjesht vendime të ndryshme. Ajo këshillon përdoruesit të tregojnë kujdes nëse i bëjnë të njëjtën pyetje IA-së disa herë, derisa të marrin përgjigjen që dëshirojnë.

Ndikimi i IA-së është veçanërisht i dukshëm në blerje (27%), ushqim (24%), shëndetësi (24%) dhe financa (22%). Ndërkohë, 74% thonë se IA u ka prezantuar një mundësi që përfundimisht është bërë zgjedhja e tyre.

Tim Haslam, drejtues i We are Talker, thekson se njerëzit nuk po e përdorin IA-në thjesht për t'u treguar se çfarë duhet të bëjnë, por edhe për të sfiduar vendimet e tyre dhe për të shqyrtuar alternativa të reja. /Talker News – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco