Shqipëria përgatit terrenin për tregtimin e mishit të kultivuar në laborator
Shqipëria mund të hapë një kapitull të ri në tregun ushqimor, duke krijuar mundësinë që në të ardhmen të tregtohet edhe mishi i prodhuar në laborator, përmes teknologjisë së kultivimit të qelizave shtazore. Një projektligj i ri për ushqimin, i përgatitur nga qeveria, parashikon për herë të parë përfshirjen e këtyre produkteve në kuadrin ligjor shqiptar dhe përcakton procedurat për autorizimin e tyre.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin mish të kultivuar, një produkt që përftohet nga qelizat reale të kafshëve, të cilat shumohen në kushte të kontrolluara laboratorike, pa qenë e nevojshme rritja dhe therja e një kafshe për prodhimin e tij.
Teknologjia funksionon përmes marrjes së një kampioni qelizor nga kafsha, i cili vendoset në një mjedis të posaçëm me lëndë ushqyese për të nxitur shumimin dhe zhvillimin e indeve. Ky proces e dallon mishin e kultivuar nga alternativat bimore, të cilat prodhohen nga përbërës si soja apo bizelet dhe nuk përmbajnë qeliza shtazore.
Si parashikohet të lejohet shitja e mishit të laboratorit në Shqipëri?
Projektligji “Për ushqimin” e përfshin këtë kategori në konceptin e “ushqimeve të reja”. Konkretisht, neni 31 parashikon klasifikimin në këtë kategori të produkteve të përftuara nga kulturat qelizore ose indore me origjinë shtazore, por edhe të ushqimeve të prodhuara nga mikroorganizmat, kërpudhat, algat dhe materialet e projektuara në shkallë nanometrike.
Për vendosjen e tyre në treg, projektligji parashikon dy rrugë autorizimi.
Rruga e parë lidhet me produktet që kanë marrë më parë miratimin e Bashkimit Europian. Sipas nenit 32, ushqimet e reja të autorizuara në BE dhe të përfshira në listat përkatëse të produkteve të lejuara nuk do të duhet t’i nënshtrohen një procesi të dytë të plotë autorizimi në Shqipëri.
Në këtë rast, autoritetet shqiptare do të verifikojnë miratimin europian dhe kushtet e përcaktuara për produktin, përmes një procedure të posaçme.
Rruga e dytë parashikohet për produktet që synohet të prodhohen në Shqipëri, por që nuk disponojnë një autorizim të vlefshëm europian. Për këto raste, prodhimi dhe tregtimi do të mund të kryhen vetëm pasi të merret një autorizim kombëtar, i mbështetur në vlerësimin shkencor të sigurisë ushqimore dhe përmbushjen e kritereve përkatëse.
Për administrimin e këtij procesi, projektligji parashikon ngritjen e Komisionit për Autorizimin për Vendosjen në Treg të Produkteve. Ky organ do të përbëhet nga pesë anëtarë, tre përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për ushqimin dhe dy të autoritetit kompetent.
Komisioni do të ketë përgjegjësinë të shqyrtojë kërkesat dhe të vendosë për dhënien, ndryshimin, pezullimin apo revokimin e autorizimeve, duke u mbështetur edhe në vlerësimet shkencore për rreziqet e mundshme.
Kur mund të mbërrijë mishi i kultivuar në tregun shqiptar?
Sipas afateve të përcaktuara në projektligj, dispozitat që lidhen me ushqimet e reja dhe procedurat e autorizimit të tyre parashikohet të hyjnë në zbatim më 1 gusht 2028, nëse nisma miratohet në formën aktuale.
Kjo datë nuk nënkupton se nga ajo ditë mishi i prodhuar në laborator do të jetë automatikisht i disponueshëm në dyqanet shqiptare. Për tregtimin e tij do të jetë i domosdoshëm plotësimi i procedurave të autorizimit dhe i standardeve të sigurisë ushqimore.
Ndërkohë, pjesa tjetër e ligjit të ri parashikohet të nisë zbatimin më 1 gusht 2027, duke zëvendësuar kuadrin aktual ligjor për ushqimin.
Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe krijimin e një kuadri rregullator për teknologjitë e reja të prodhimit ushqimor.
Pra, Shqipëria nuk ka autorizuar ende shitjen e mishit të prodhuar në laborator, por përmes këtij projektligji po krijon bazën ligjore që një produkt i tillë të mund të hyjë në treg në të ardhmen, nëse përmbush kriteret e përcaktuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



