Vrasja e rëndë në Suharekë, policia jep detaje
Një person ka humbur jetën të mërkurën si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri në Suharekë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur pas një konflikti verbal mes dy personave.
Në raport thuhet se i dyshuari, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Viktima është dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit, ku, rreth orës 13:03, ka ndërruar jetë.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa gjatë arrestimit i ka konfiskuar një revole me 24 fishekë, si dhe disa gëzhoja.
"Suharekë / 18.11.2026 – 12:11. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një konflikti verbal, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në spitalin e Prizrenit ku dyshohet se rreth orës 13:03 ka ndërruar jetë. I dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar një revole me 24 fishekë dhe disa gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML".
Ndërkohë, njësitë hetimore kanë bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar 47 fishekë dhe një shumë parash të gatshme.
Tutje në raport bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
"Njësiti hetuesisë ka bastisur shtëpinë të dyshuarit ku ka gjetur dhe konfiskuar 47 fishekë dhe një shumë të parave të gatshme. I dyshuari është dërguar në mbajtje.Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për procedurat e mëtejme", thuhet në raport.
Ndërkaq, siç thuhet në raport, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”. /Telegrafi/





























