Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic pritet të arrijë një vlerësim prej 1.5 trilion dollarësh me debutimin e saj në bursë këtë të enjte, duke u renditur mes kompanive më të vlefshme në botë.
Kompania që qëndron pas chatbot-it Claude ka njoftuar se aksionet e saj do të dalin në shitje me një çmim prej 83 dollarësh për njësi në Nasdaq, bursën amerikane të specializuar në kompanitë e teknologjisë.
Ky debutim shënon një moment historik për industrinë e inteligjencës artificiale, pasi Anthropic bëhet kompania e parë amerikane e fokusuar ekskluzivisht në këtë teknologji që hyn në tregun publik të aksioneve. Ndërkohë, shtatë themeluesit e saj, të cilët krijuan kompaninë në vitin 2021, pritet të bëhen multimiliarderë.
Dalja në bursë konsiderohet gjithashtu një test i rëndësishëm për sektorin e inteligjencës artificiale, i cili po përjeton rritje të jashtëzakonshme, por përballet edhe me pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e investimeve masive në këtë teknologji dhe aftësinë e kompanive për t’i kthyer ato në fitime.
Fillimisht, Anthropic kishte planifikuar që aksionet të ofroheshin me një çmim nga 70 deri në 78 dollarë, duke e vlerësuar kompaninë deri në 1.3 trilion dollarë. Megjithatë, interesi i lartë i investitorëve ka bërë që çmimi përfundimtar të jetë më i lartë.
Sipas një investitori të hershëm të kompanisë, i cili foli për BBC-në, kërkesa për aksionet e Anthropic ka tejkaluar më shumë se dhjetëfishin e numrit të aksioneve të disponueshme.
Nëse këto të dhëna konfirmohen, vlerësimi i kompanisë mund të rritet edhe më tej me nisjen e tregtimit në bursë, duke e kthyer debutimin e saj në një nga ngjarjet më të rëndësishme financiare të sektorit të teknologjisë.













