Gjashtë persona janë arrestuar në kuadër të një hetimi për trafikimin e kokainës përmes Belgjikës drejt Mbretërisë së Bashkuar. Bëhet fjalë për një organizatë që dyshohet se ka përfituar rreth 25 milionë euro nga trafiku i drogës. Rreth 21 transportime droge të identifikuara
Nga Jasper Van Der Schoot, PZC
“Hetimi nisi në mesin e këtij viti, pasi policia kishte marrë informacione për një organizatë kriminale”, shpjegon zëdhënësi i Prokurorisë, Kristof Aerts.
“Anëtarët e saj dyshohet se ishin të përfshirë në importimin e kokainës përmes portit të Anversës. Më pas, droga ruhej për një periudhë të shkurtër në apartamente në Anversë dhe në zonat përreth, të cilat merreshin me qira përmes platformave online të rezervimeve.
Në këto apartamente kokaina ripaketohej. Organizata dyshohet se më pas e trafikonte drogën drejt Mbretërisë së Bashkuar, të vendosur në çanta sportive dhe të transportuar me kamionë në rrugë tokësore.”
Gjatë hetimeve, policia arriti të identifikonte rreth 21 transportime droge. Gjashtë prej tyre u ndaluan në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë këtyre operacioneve u sekuestruan 773 kilogramë kokainë dhe 40 kilogramë heroinë.
Dogana franceze arriti të ndalonte më 13 korrik të këtij viti edhe një ngarkesë prej 215 kilogramësh kokainë, e fshehur në një kamion që kishte si destinacion qytetin e Lidsit.
Sipas hetuesve, organizata mund të ketë përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 25 milionë euro nga këto transportime.
21 blloqe kokainë të sekuestruara
“Me urdhër të gjyqtarit hetues, Policia Federale Gjyqësore e Anversës, në bashkëpunim me autoritetet policore spanjolle dhe EUROPOL-in, kreu të martën shtatë kontrolle banesash”, vijon Aerts.
Katër prej kontrolleve u zhvilluan në Belgjikë.
Në total u arrestuan gjashtë persona. Bëhet fjalë për persona me shtetësi rumune dhe shqiptare, të moshës nga 25 deri në 38 vjeç.
Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan:
- 21 blloqe kokainë;
- materiale për paketimin e drogës;
- një makinë për numërimin e parave;
- një dozë kanabisi e përgatitur për shitje;
- materiale për ndërtimin e një plantacioni kanabisi;
- dokumente identiteti të falsifikuara;
- një shumë parash në dorë.
Në fazën e ardhshme, gjyqtari hetues do të vendosë nëse të arrestuarit do të mbeten në paraburgim.
Prokuroritë e Anversës dhe të Flandrës Lindore, si dhe Policia Federale Gjyqësore e Anversës, theksojnë se bashkëpunimi me autoritetet portuale dhe operatorët e terminaleve ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe në hetime të këtij lloji.
© SYRI.net