Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën për hetimin e grabitjes së mbi 700 mijë eurove në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, duke ia kaluar çështjen për kompetencë SPAK-ut. Shkak për këtë vendim janë dyshimet për përfshirjen e ish-drejtueses së filialit rajonal, Etleva Budini, e cila aktualisht është deputete e PS.

Sipas CV-së së siguruar, Budini rezulton të ketë drejtuar filialin rajonal të Postës Shqiptare në Durrës, pikërisht strukturën ku u zbulua vjedhja e shumës së konsiderueshme të parave.
Për këtë ngjarje u arrestua Etleva Mataj, por hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime për një vjedhje edhe më të madhe financiare.
Sipas të dhënave të hetimit, dyshohet se filiali i Postës në Durrës nuk ka derdhur në Thesar edhe 3.6 milionë euro të tjera, të cilat qytetarët i kishin paguar për shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), përmes aplikimeve të tyre.
Këto pagesa i përkasin periudhës kur Posta Shqiptare drejtohej nga Etleva Budini. Tashmë, hetimi pritet të vijojë në SPAK, për të zbardhur destinacionin e parave dhe përgjegjësitë për mungesën e tyre në arkën e shtetit.a.b





