Një projektligj i ri “Për ushqimin”, i hartuar nga qeveria, po përgatit terrenin ligjor që mishi i prodhuar në laborator të bëhet pjesë e tregut shqiptar.
Ndonëse kjo teknologji ende debatohet gjerësisht në Evropë për ndikimet afatgjata në shëndet dhe bujqësi, Shqipëria po nxiton të krijojë kornizën juridike që mundëson tregtimin dhe madje prodhimin vendas të ushqimeve të kultivuara nga qelizat shtazore.
Ndryshe nga zëvendësuesit bimorë me bazë soje apo bizele, ky produkt përftohet duke marrë qeliza ose inde reale nga kafshët dhe duke i shumëzuar në kushte laboratorike përmes një mjedisi të posaçëm ushqyes, pa pasur nevojë për therjen e kafshës.
Në nenin 31 të projektligjit, këto produkte futen në kategorinë e “ushqimeve të reja”, krah atyre të prodhuara nga mikroorganizmat, kërpudhat, algat dhe materialet e projektuara në shkallë nanometrike. Ajo që bie në sy në mekanizmin e parashikuar nga neni 32 është lehtësia me të cilën këto produkte mund të hyjnë në vend.
Çdo ushqim i ri që merr miratimin në Bashkimin Evropian dhe futet në listat përkatëse të lejuara, nuk do t’i nënshtrohet një procesi të dytë autorizimi në Shqipëri. Institucionet tona do të mjaftohen me një procedurë të thjeshtuar verifikimi nga një komision i posaçëm, i cili thjesht do të konfirmojë se produkti ka vulën evropiane, duke i hapur rrugën menjëherë drejt konsumatorit shqiptar.
Edhe më problematike duket skema për prodhimin vendas të ushqimeve të reja që nuk kanë ende një autorizim nga BE-ja. Në një vend ku institucionet e sigurisë ushqimore shpesh dështojnë të kontrollojnë edhe produktet bazë, projektligji parashikon ngritjen e një Komisioni për Autorizimin për Vendosjen në Treg të Produkteve.
Ky organ do të përbëhet nga pesë anëtarë, tre nga ministria përgjegjëse për ushqimin dhe dy nga autoriteti kompetent, të cilët do të kenë në dorë të japin, ndryshojnë, pezullojnë apo revokojnë licencat kombëtare, duke u mbështetur teorikisht në vlerësimet shkencore të riskut dhe kriteret evropiane.
Sipas afateve të përcaktuara në dokument, pjesa dërrmuese e ligjit të ri pritet të hyjë në fuqi më 1 gusht 2027, duke zëvendësuar legjislacionin aktual. Ndërkaq, nenet specifike që rregullojnë ushqimet e reja dhe mishin e kultivuar do të nisin zbatimin më 1 gusht 2028, me kusht që teksti të miratohet në formën aktuale.
Edhe pse miratimi i këtij ligji nuk do të thotë se mishi i laboratorit do të shfaqet automatikisht në dyqane ditën e parë të hyrjes në fuqi, ai vendos një precedent të rëndësishëm.
Teksa blegtoria vendase vuan mungesën e subvencioneve dhe rënien e vazhdueshme, qeveria po hap derën ligjore për industrinë e ushqimeve sintetike, duke ia lënë barrën e sigurisë një komisioni të vogël administrativ në një treg që historikisht ka vuajtur mungesën e transparencës dhe etiketimit të saktë./ JOQ












