E enjte, 19 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Buxheti 2027, eksperti Sefa: Pensionistët vijojnë të rrezikohen nga varfëria, bujqësia dhe arsimi mbeten të nënfinancuara

Më shumë mirëqenie sociale, stabilitet fiskal dhe investime publike. Këto janë tri shtyllat kryesore mbi të cilat është ndërtuar buxheti i vitit 2027 dhe paketa e re fiskale.

Ministria e Financave parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me 4% gjatë vitit 2027, ndërsa buxheti dhe paketa e re fiskale synojnë të mbështesin këtë rritje, duke ruajtur stabilitetin financiar të vendit.

I ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, nën moderimin e Brikena Priftit, eksperti i ekonomisë Ergis Sefa analizoi prioritetet e buxhetit të ri, duke vënë në dukje se pesha kryesore e shpenzimeve është orientuar drejt politikave sociale dhe mbështetjes së grupeve vulnerabël.

Sipas tij, megjithëse buxheti ka një orientim të theksuar social, sektorë të rëndësishëm si bujqësia, shëndetësia dhe arsimi vijojnë të kenë nevojë për më shumë financim.

Reklamë

Ergis Sefa: Buxheti në tërësi anon shumë nga ana sociale. Është kolona e cila zë pjesën më të madhe të shpenzimeve. Nëse marrim fondin e pensioneve, bonuset, indeksimet, ndihmën ekonomike, shkojnë diku te 2.8 miliardë euro, është gati 30% e buxhetit total. Është një buxhet i cili është spostuar në favor të grupeve vulnerabël.

Duhet bërë diçka më shumë për bujqësinë. Bujqësia vijon të mbetet e nënfinancuar. Duhet ta pranojmë që bujqësia, shëndetësia dhe arsimi zënë vetëm 11% të investimeve. Është shumë pak. Ndërkohë, nga ana tjetër, kemi disa tentativa për shtim të pagave në disa sektorë të caktuar.

Një tjetër element që, sipas ekspertit, do të përcaktojë efektivitetin e buxhetit është mënyra se si do të zbatohet ai gjatë vitit. Sefa thekson se monitorimi i vazhdueshëm është i domosdoshëm, veçanërisht për të garantuar që përfitimet nga ndryshimet fiskale të mbërrijnë te konsumatorët dhe jo të përthithen nga tregtarët.

Ergis Sefa: Çelësi i çdo buxheti është zbatimi. Nëse nuk ka një monitorim të fortë që në fillim të tij, atëherë rrezikojmë që gjithë kjo lëvizje në favor të qytetarit t’i ngelet tregtarit. Kjo është diferenca më e madhe.

Nëse ti nuk monitoron si duhet zbatimin, të paktën në gjysmën e parë të vitit, rrezikon që kjo normë që ti reduktove pikërisht për ta ndierë konsumatori, t’i shkojë tregtarëve. Nëse bëhet si duhet, vërtet do të ndiejmë efekte.

Duke u ndalur te pensionet dhe rritja e mbështetjes financiare për pensionistët, Sefa e konsideroi këtë një zhvillim pozitiv, por paralajmëroi se rritja e përfitimeve nuk mjafton për të kompensuar plotësisht efektet e shtrenjtimit të jetesës.

Sipas tij, pensionistët vijojnë të jenë një nga kategoritë më të ekspozuara ndaj rrezikut të varfërisë, pasi rritja e çmimeve ka ecur me ritme më të larta sesa rritja e pensioneve.

Ergis Sefa: Është një lëvizje pozitive, por po të shikojmë kostot e jetesës në tërësi, vazhdon të jetë një shtresë e cila është pre e rrezikut ndaj varfërisë. Rritja e çmimeve ka pasur ritme më të mëdha dhe nuk ka mundur që rritja e pensioneve të arrijë në të njëjtin nivel me rritjen e çmimeve.

Për pensionistët do të jetë një vit që do të ketë sërish vështirësi. Rritja e buxhetit dhe rritja e bonuseve është një lajm i mirë, por të mos shkojmë deri në atë pikë sa të mos themi që kjo do ta zgjidhë problemin e tyre. Pa ndihmën e tyre do ta kenë akoma të vështirë dhe kjo është fatkeqësi.

Në analizën e tij, eksperti u ndal edhe te sektorët që, sipas tij, nuk po marrin mbështetjen e nevojshme financiare. Bëhet fjalë kryesisht për sektorët që lidhen me prodhimin, inovacionin dhe rritjen e produktivitetit të punës.

Sefa argumentoi se shpërndarja aktuale e buxhetit nuk krijon ende mbështetjen e duhur për zhvillimin e prodhimit vendas dhe rritjen e produktivitetit, elemente që i konsideron të domosdoshme për përmirësimin e pagave dhe zgjidhjen afatgjatë të problematikave ekonomike.

Ergis Sefa: Në përgjithësi, ata sektorë që kanë të bëjnë me prodhimin, inovacionin apo rritjen e produktivitetit të punës vijojnë të jenë të nënfinancuar. Mënyra se si është shpërndarë buxheti, sidomos te sektorët e produktivitetit të lartë, prodhimi vendas apo edhe rritja e inovacionit, lë për të dëshiruar.

Ka nevojë për shumë gjëra për t’u bërë. Nëse duam të zgjidhim problemet që kemi me pensionistët dhe me pagat, të cilat janë në nivel jo të kënaqshëm në sektorin privat, do të duhet që strukturorisht të ndikojmë te ekonomia në mënyrë që të rindezim motorët e inovacionit. Kështu do të kemi mundësi që të gjithë sektorët privatë të fillojnë të rrisin pagat.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.