Hetimet për zhdukjen e rreth 700 mijë eurove nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës kanë hyrë në një fazë të re.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Durrësit dhe përcjelljes së dosjes, SPAK ka regjistruar procedimin penal për këtë çështje, duke shtuar edhe veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal”.

Regjistrimi i procedimit në Prokurorinë e Posaçme vjen pas dyshimeve se vjedhja e 69 milionë lekëve të reja, të destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, mund të jetë pjesë e një skeme më të gjerë kriminale.

Kalimi i dosjes në SPAK lidhet edhe me dyshimet për përfshirjen e personave që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Sipas raportimeve të mëparshme, hetimet mund të shtrihen edhe te ish-zyrtarë të Postës Shqiptare, ndërsa për këtë pistë priten verifikime nga Prokuroria e Posaçme.

Në dosjen e hetuar fillimisht nga Prokuroria e Durrësit janë ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, dhe arkëtarja Paola Dana. Të tria dyshohen për përvetësimin e shumës prej 69 milionë lekësh të reja, përmes shpërdorimit të detyrës dhe në bashkëpunim.

Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar më herët masën e sigurisë për Elisabeta Matajn, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Edhe dy të dyshuarat e tjera ndodhen në arrest shtëpie.

Me regjistrimin e procedimit penal dhe përfshirjen e veprës së grupit të strukturuar kriminal, SPAK pritet të hetojë më tej përmasat e skemës, rolin e personave të përfshirë dhe dyshimet për përfshirjen e zyrtarëve me imunitet parlamentar.Top Channel