Takimi i tre liderëve/ Putin: Kemi interes të përbashkët për zgjidhjen e luftës në Ukrainë. Trump: Nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore
Ndërkohë që gjithë sytë e të gjithë botës ndodhen në Shenzhen, aty ku liderët e tre ekonomive më të fuqishme botërore, Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin mbajnë një takim të paprecedentë, gazetarë dhe analistë nga Europa kanë komentuar mungesën e BE-së në këtë samit.
Të pyetur nga gazetari i Top Channel, Jon Lumani, i cili ndodhet në samitin APEC 2026, ata ndanë shpjegimet e tyre për këtë çështje.
“Sigurisht që ky është një lajm i keq për Evropën. Kjo do të thotë se Evropa po mbetet jashtë vendimmarrjeve të rëndësishme gjeopolitike dhe zëri i Brukselit nuk është më aq i fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
Evropa duhet patjetër të reflektojë mbi pozicionin e saj gjeopolitik në botë dhe të mendojë se si mund ta forcojë atë”, u shpreh gazetari slloven, Jan Klokocovnik.
Ai shton se po shfaqet një rend i ri botëror, me rolin e Europës që nuk është më aq i rëndësishëm në të.
“Ky takim tregon se rendi i vjetër botëror po shpërbëhet. Nuk ekziston më ndarja mes Perëndimit dhe Lindjes siç e njihnim dikur, por po shfaqet një rend i ri botëror, me disa fuqi të mëdha që veprojnë në një sistem shumëpolar: Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë gjithmonë të fuqishme; Kina, e cila po bëhet gjithnjë e më e fortë; si dhe vende të tjera si Rusia dhe shtetet e BRICS-it.
Pra, Evropa po zgjohet përballë një realiteti të ri.
Por ka edhe një arsye tjetër pse ky takim është historik dhe që sigurisht nuk është në favor të Evropës.
Për herë të parë në histori, një takim ku diskutohen çështje të brendshme të Evropës po zhvillohet në Azi dhe jo në Evropë apo në Perëndim.
Zakonisht ndodhte e kundërta? Vendimet e rëndësishme për botën merreshin kryesisht në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara.
Por tani, për herë të parë në histori, vendimet që lidhen me Evropën po merren në Azi. Kjo tregon gjithashtu zhvendosjen e fuqisë gjeopolitike drejt rajonit Azi-Paqësor dhe veçanërisht drejt Kinës”, tha gazetari.
Ndërkohë, gazetari nga Hungaria, Mihály Zsiros, u shpreh se BE nuk mund të vendosë dot se cilin përfaqësues të dërgojë edhe nëse një ftesë e tillë do të vinte.
“Nga njëra anë, asnjë prej vendeve evropiane nuk është e përfaqësuar në APEC. Ky është një samit i rajonit Azi-Paqësor, ndaj mendoj se është normale që ato të mos jenë të pranishme këtu.
Por më erdhi ndër mend një thënie e Henry Kissingerit, i cili kishte pyetur: “Nëse dua të flas me Evropën, kë duhet të telefonoj?”
Pra, a është Friedrich Merz apo Ursula von der Leyen personi që do të përfaqësonte Evropën?
Kjo do të ishte pyetja ime. A mund të bien dakord ata qoftë edhe për një person të vetëm që do të përfaqësonte Bashkimin Evropian, apo edhe një Evropë më të gjerë? Mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme.
Sot është e qartë se fuqitë kryesore janë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe, me sa duket, Rusia.
Pyetja e madhe është: cili është vendi i Evropës në këtë rend të ri?
Mendoj se ekonomia e Evropës nuk është edhe aq keq. Gjithashtu, Evropa ka nisur sërish të ndërtojë kapacitetet e saj ushtarake dhe, nëse do të ketë një ushtri të fortë, ndoshta edhe pozicioni i saj në tryezën e vendimmarrjes do të jetë më i fuqishëm”, thotë Zsiros.
Top Channel