E enjte, 19 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
SPAK REGJISTRON PROCEDIMIN PËR VJEDHJEN E 700 MIJË EUROVE NË POSTËN E DURRËSIT, DYSHOHET PËR GRUP TË STRUKTURUAR KRIMINAL
Lajme

SPAK REGJISTRON PROCEDIMIN PËR VJEDHJEN E 700 MIJË EUROVE NË POSTËN E DURRËSIT, DYSHOHET PËR GRUP TË STRUKTURUAR KRIMINAL

Hetimet për zhdukjen e rreth 700 mijë eurove nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës kanë kaluar zyrtarisht në duart e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal për këtë çështje, pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Durrësit, e cila gjatë hetimeve ka evidentuar dyshime për funksionimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Ditën e sotme, më 19 nëntor, në SPAK është hedhur shorti për caktimin e prokurorit që do të marrë në shqyrtim dosjen, e cila lidhet me zhdukjen e 69 milionë lekëve të reja, të destinuara për pagesën e pensioneve në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.

Një nga elementet që e bën më të gjerë këtë hetim është dyshimi për përfshirjen e ish-zyrtarëve, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për emrat e personave që mund të jenë nën verifikim.

Ngjarja u zbulua pas një kontrolli të brendshëm në Postën Shqiptare, ku rezultoi se gjatë muajve prill dhe maj, shuma të konsiderueshme parash ishin regjistruar si transferta drejt degëve të tjera, por nuk kishin mbërritur në destinacion.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana. Të tria dyshohen për përvetësimin e shumës në bashkëpunim dhe aktualisht ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pas zbutjes së masave të mëparshme.

Ndërkohë, hetimet pritet të shtrihen përtej personave të arrestuar, me qëllim zbardhjen e plotë të skemës, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive për zhdukjen e parave që ishin të destinuara për pensionistët.

Çdo person i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.