Detaje nga sherri në burgun e Reçit, kush janë dy të dënuarit për vepra të rënda penale që u përplasën (EMRAT)

Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti fizik mes dy të dënuarve në burgun e Reçit, në Shkodër. Gazetari i Vizion Plus Bepin Kolvata raporton se personat e përfshirë në sherr janë Altedi Jolldashi dhe Sebastian Ogiç, të dy me precedentë penalë për vepra të rënda kriminale.
Jolldashi është dënuar për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa Ogiç është dënuar për vjedhje me armë dhe dhunë në bashkëpunim me persona të tjerë. Ky i fundit, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, dyshohet se në vitin 2022 është kamufluar si efektiv i antidrogës në Tiranë, duke kërcënuar me pistoletë një 32-vjeçar për t’i marrë çantën.
Ndërkohë, Jolldashi në vitin 2024 u përfshi në një shkëmbim zjarri në Pogradec, ku mbeti edhe vetë i plagosur. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 6 vite burg. Më herët, në vitin 2020, ishte arrestuar edhe për transportim të emigrantëve të paligjshëm.
Pas konfliktit mes dy të dënuarve, në ambientet e burgut janë ushtruar kontrolle nga autoritetet, gjatë të cilave janë konstatuar edhe sende të ndaluara.
Për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të përplasjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi motivet e konfliktit dhe mënyrën se si ai ka ndodhur.
/vizionplus.tv




