AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Rajoni

Dënimi i dytë i Hashim Thaçit rikthen polemikat rreth Gjykatës së Hagës

I shpallur tashmë fajtor për krime lufte, vendimi i dytë fajësues ndaj Hashim Thaçit - për përpjekje për të ndërhyrë te dëshmitarët - ka ngritur pikëpyetje të reja lidhur me gjykatën, e cila u krijua në Hagë pikërisht për të shmangur përpjekje të tilla intimidimi.

Xhorxhina BamingaXhorxhina Bami
17 seconds më parë
në Rajoni
Koha e leximit: 9 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
thaci 10.09.2026
Hashim Thaçi duke dëgjuar deklaratat përmbyllëse në gjykatë, shtator 2026. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës / Screenshot.

Dy muaj pasi u dënua për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për tentativë ndërhyrje te dëshmitarët e akuzës në të njëjtën çështje.

Ky vendim ka sjellë një tjetër polemikë për Dhomat e Specializuara, të cilat kanë zhvilluar gjashtë procese gjyqësore – tre për krime lufte dhe tre për përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët në çështjet që lidhen me krimet e luftës. Gjykata u krijua në Hagë me qëllim shmangien e manipulimit të dëshmitarëve, i cili kishte qenë problem në disa procese gjyqësore të lidhura me Kosovën në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Thaçit iu dorëzua një fletarrest në dhjetor të vitit 2024, nën dyshimin për pengim të drejtësisë, ndërkohë që ai ndodhej tashmë në paraburgim në Hagë. Sipas aktakuzës, ai ishte përpjekur të ndikonte te dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte përmes bashkëpunëtorëve të tij, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt dhe Isni Kilajt, të cilët e vizituan në qendrën e paraburgimit në vizita të ndara gjatë muajve korrik, shtator dhe tetor të vitit 2023.

“Secili grup duhej t’i përcillte udhëzime një dëshmitari të prokurorisë”, deklaroi gjyqtari Christopher Gosnell gjatë shpalljes së vendimit të martën.

Qëllimi ishte pengimi i aftësisë së prokurorisë “për t’i përgatitur dhe paraqitur këta dëshmitarë” dhe pamundësimi i vlerësimit të duhur nga gjyqtarët të dëshmive të tyre kundër Thaçit dhe të bashkë të pandehurve të tij në procesin gjyqësor për krime lufte, shtoi Gosnell.

Thaçi u dënua me 17 muaj burg për “tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në bashkëkryerje, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës”.

Smakaj dhe Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burg, ndërsa Kilaj u shpall i pafajshëm. Një i pandehur i pestë, Hajredin Kuçi, u dënua me një muaj burg me kusht.

Dëshmitarët u “udhëzuan” se si të dëshmonin

viber image 2026 11 17 10 51 36 649 e1795028985868
Hashim Thaçi (në rreshtin e pasmë, djathtas), Isni Kilaj (në këmbë) dhe Bashkim Smakaj (ulur në pjesën e përparme), në Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë shpalljes së vendimit, më 17 nëntor 2026. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Livestream.

Gjyqtari Gosnell vendosi se, gjatë vizitave të bashkëpunëtorëve të tij në qendrën e paraburgimit, Thaçi u kishte përcjellë atyre udhëzime për dy dëshmitarë lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonin, në mënyrë që dëshmitë e tyre të favorizonin mbrojtjen e tij.

Udhëzimet kishin për qëllim Rrustem Mustafën, i cili gjatë luftës ishte komandant i Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe Bislim Zyrapin, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Udhëzimet u përcollën vetëm disa javë para se ata të dëshmonin në gjykatën e Hagës.

Mustafa ishte dëshmitar i prokurorisë, por kur u paraqit në gjykatë, dëshmia e tij e përforcoi argumentin e mbrojtjes se UÇK-ja nuk ishte një ushtri e rregullt, por një forcë guerile që nuk funksiononte sipas një hierarkie të mirëfilltë komanduese nga lart-poshtë. Sipas këtij argumenti, drejtuesit e UÇK-së, si Thaçi dhe tre bashkë të pandehurit e tij në procesin gjyqësor për krime lufte, nuk mund të mbanin përgjegjësi për krimet e luftës të kryera nga luftëtarë të niveleve më të ulëta të hierarkisë.

“Ne nuk arritëm në atë pikë sa të kishim një ushtri që do të drejtohej nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga politikanët dhe civilët; ishim ne, komandantët në terren, ata të cilëve u kërkohej vazhdimisht të jepnin llogari për çështje të ndryshme”, deklaroi Mustafa në gjykatë në muajin korrik.

Të martën, gjyqtari Gosnell deklaroi se Thaçi e kishte udhëzuar Mustafën të thoshte se ai ishte përgjegjës për zonën e tij operative dhe se ishte “i pakënaqur” me Shtabin e Përgjithshëm, udhëheqjen e UÇK-së, sepse kjo e fundit nuk e kishte ndihmuar me para, logjistikë apo armatim.

Gjyqtari tha gjithashtu se gjatë vizitave të Smakajt në qendrën e paraburgimit, në shtator dhe tetor të vitit 2023, Thaçi ishte përpjekur të ndërhynte edhe në dëshminë e Zyrapit.

Gjatë dëshmisë së tij, e cila zgjati tri javë, Zyrapi shpjegoi strukturën e UÇK-së, duke thënë se komandanti i Shtabit të Përgjithshëm ishte përgjegjës për përpjekjet për ta shndërruar UÇK-në në një ushtri të mirëfilltë.

Megjithatë, gjatë pyetjeve të mbrojtjes, ai këmbënguli se Shtabi i Përgjithshëm shpesh nuk vihej në dijeni për veprimet e komandantëve të zonave operative dhe se drejtuesit e lartë nuk kishin mundësi të ushtronin kontroll të plotë mbi njësitë e niveleve më të ulëta, pjesërisht për shkak të ofensivave serbe. Edhe kjo dëshmi e përforcoi qëndrimin mbrojtës të Thaçit dhe të bashkë të pandehurve të tij.

I pandehuri i pestë në procesin gjyqësor për pengim të drejtësisë, Kuçi, ishte anëtar i ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, bashkë të pandehurit të Thaçit në çështjen për krime lufte. Ai u shpall fajtor për mosbindje ndaj gjykatës, pasi kishte kontaktuar Mustafën në prill të vitit 2023, në kundërshtim me rregullat e gjykatës që ndalojnë ekipet mbrojtëse të kontaktojnë dëshmitarët e prokurorisë.

Pasi Mustafa kishte dhënë një intervistë televizive lidhur me çështjen e krimeve të luftës ndaj Thaçit, Kuçi i kishte dërguar një mesazh, ku shkruante: “Mik, të përgëzoj për profesionalizmin, për idetë e qarta lidhur me vendin dhe luftën, si dhe për guximin tënd.”

Thaçi u shpall i pafajshëm për disa nga akuzat e ngritura ndaj tij. Ai u shpall i pafajshëm për akuzën e mosbindjes ndaj gjykatës lidhur me një takim me Smakajn në shtator të vitit 2023, si dhe për tentativën e pengimit të personave zyrtarë në tetor të vitit 2023, në lidhje me vizitën e Kilajt.

Vendimet në të dyja çështjet mund të apelohen.

Vendimi i fundit shkakton reagime të ashpra në Kosovë

viber image 2026 11 17 10 53 40 215 e1795029388289
Hajredin Kuçi (në këmbë) dhe Fadil Fazliu (djathtas), në Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë shpalljes së vendimit, më 17 nëntor 2026. Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Livestream.

Dhomat e Specializuara u krijuan posaçërisht për të gjykuar ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U vendos që gjykata të kishte selinë në Hagë dhe të përbëhej nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, për shkak të dyshimeve lidhur me aftësinë e vetë sistemit të drejtësisë në Kosovë për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së, shumë prej të cilëve konsiderohen heronj në vendin e tyre.

Gjykata ka ndërmarrë hapa për të adresuar shqetësimet lidhur me mundësinë që dëshmitarët t’i nënshtrohen kanosjes. Megjithatë, pavarësisht këtyre masave, deri më tani ajo ka zhvilluar tre procese gjyqësore lidhur me pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët.

Në procesin e parë, në vitin 2022, dy veteranë të lartë të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, përkatësisht kryetar dhe nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u shpallën fajtorë për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve.

Në vitin 2024, dy ish-luftëtarë të UÇK-së, Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, pranuan akuzat për kanosje të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

Shqiptarët e Kosovës dhe mbështetësit e UÇK-së prej kohësh e kanë konsideruar gjykatën e Hagës si të njëanshme ndaj shqiptarëve etnikë, ndërsa vendimet e fundit fajësuese vetëm sa e kanë përforcuar këtë perceptim.

Pas vendimit të së martës, Qeveria e Kosovës deklaroi se “pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të shtetit të së drejtës”.

Megjithatë, Qeveria theksoi gjithashtu se shqetësimet lidhur me Gjykatën e Hagës vazhdojnë të mbeten, “veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve për një gjykim të drejtë”.

Vendimi i shtatorit, me të cilin Thaçi dhe bashkë të pandehurit e tij u shpallën fajtorë për krime lufte, shkaktoi protesta masive të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës votoi për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, me synimin për të kufizuar kompetencat e tyre përpara shqyrtimit të ankesës në procesin gjyqësor për krime lufte.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të mos votojnë ndryshimet ligjore pa u konsultuar me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, pasi gjykata u krijua përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Ligji tashmë i është kthyer Kuvendit nga presidentja për rishqyrtim. Megjithatë, Vlora Çitaku, kryetare në detyrë e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila u themelua nga Thaçi dhe që inicioi ndryshimet e propozuara ligjore, këmbënguli të martën se ato do të votohen dhe se, brenda 15 ditësh, do të nisë procedura për miratimin e amendamenteve.

Të mërkurën, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, Çitaku shkroi gjithashtu në Facebook: “Tani është koha të dëshmojmë unitet politik dhe institucional përmes veprimeve konkrete dhe mbështetjes për mbrojtjen e çlirimtarëve në procesin e apelit”.

Megjithatë, Amer Alija, jurist në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se çdo ndryshim në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara mund të mos ketë asnjë ndikim në rezultatin e procesit të apelit.

“Duhet të kuptohet qartë se ligji – apo çfarëdo ndryshimi i tij – nuk do të ketë asnjë ndikim në përcaktimin e fajësisë apo pafajësisë së personave që po gjykohen në Hagë, pasi gjykata i konstaton faktet dhe përcakton fajësinë ose pafajësinë në bazë të provave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor”, tha Alija për BIRN.

Koha e kaluar në paraburgim s’do t’i llogaritet Thaçit në dënimin e ri

protestuesit 06.10.2026 e1791303869992 1536x864
Protestuesit para Kuvendit në Prishtinë, duke kërkuar votimin e amendamenteve për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, tetor 2026. Foto: BIRN / Adeline Ahmeti.

Në vendimin e mëparshëm gjyqësor, të shpallur në shtator, Thaçi u dënua me 25 vjet burg për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës, trajtimit mizor dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë, nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999, në Kosovë dhe në disa lokacione në Shqipëri.

Ai ka kaluar tashmë gjashtë vjet në paraburgim, që nga transferimi i tij në qendrën e paraburgimit në Hagë në vitin 2024. Megjithatë, kjo kohë e kaluar në paraburgim nuk do t’i llogaritet në dënimin e ri për pengim të drejtësisë, konfirmoi për BIRN Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjyqtari ka përcaktuar se dënimi i ri “duhet të vuhet në mënyrë kumulative”, tha Doyle.

“Thaçi është dënuar gjithashtu me një dënim të vetëm prej 25 vjetësh burg në procesin gjyqësor për krime lufte, duke iu llogaritur koha e kaluar në paraburgim. Nëse ky vendim për krime lufte merr formë të prerë, atëherë koha e kaluar në paraburgim para gjykimit do të zbritet vetëm nga ky dënim”, sqaroi Doyle.

Dy nga bashkë të pandehurit e tij ndodhen në një pozitë tjetër. Smakaj dhe Fazliu u dënuan secili me nga 12 muaj burg. Por, meqenëse ata kishin kaluar më shumë se 12 muaj në paraburgim, gjyqtari deklaroi: “Dënimin tuaj e keni vuajtur dhe do të liroheni në përfundim të kësaj seance gjyqësore”.

Alija tha se nuk është e pazakontë që të pandehurit të mbahen në paraburgim gjatë një procesi gjyqësor dhe më pas të shpallen të pafajshëm ose të marrin një dënim më të shkurtër sesa koha që kanë kaluar tashmë pas hekurave.

Në raste të tilla, të pandehurit kanë të drejtë të kërkojnë kompensim në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, vuri në dukje ai.

Në rastin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, “kjo çështje rregullohet nga Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, sipas së cilës funksionon gjykata. Rregullorja parashikon mundësinë e kompensimit, por nuk përcakton shprehimisht se cili mekanizëm është përgjegjës për realizimin e tij”, shpjegoi ai.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Thaçi, i cili u dënua me një periudhë më të shkurtër burgimi sesa koha që ka kaluar tashmë në paraburgim që nga lëshimi i fletarrestimit të dytë, në dhjetor të vitit 2024, mund të kërkojë kompensim në këtë mënyrë.

“Kanë kaluar më shumë se 23 muaj nga lëshimi i këtij fletarrestimi të dytë, ndërkohë që dënimi i shqiptuar është vetëm 17 muaj”, theksoi Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që merret me analiza dhe hulumtime.

“Për dy personat e tjerë të dënuar në këtë çështje, u theksua shprehimisht se koha e kaluar në paraburgim para gjykimit do t’u llogaritej në dënimet e tyre – dënime të cilat, në fakt, ata tashmë i kanë vuajtur plotësisht”, tha Cakolli.

“Në rastin e Thaçit, megjithatë, u përcaktua që dënimi të ishte shtesë, pa u shpjeguar qartë se si do të llogaritej periudha e kaluar në paraburgim në bazë të fletarrestimit të dytë”, shtoi ai.

Ai përfundoi: “Nëse të dyja aktgjykimet mbeten në fuqi, dënimi i përgjithshëm për Thaçin do të jetë saktësisht 26 vjet e pesë muaj burg.”

Etiketa: Dhomat e SpecializuaraHashim Thaçipengim drejtesie
thaci 10.09.2026

Dënimi i dytë i Hashim Thaçit rikthen polemikat rreth Gjykatës së Hagës

11:07 | 19/11/2026
pd

Drejtuesit e PD sulmojnë aktivistët që refuzojnë të rreshtohen pas tyre

07:48 | 19/11/2026
policet perplasen me protestuesit

Policia procedon 24 protestues dhe vendos 28 gjoba për dy ditë

16:41 | 18/11/2026
SPAK

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive me vlerë 9.1 milionë euro të grupit të Elvis Doçit

15:54 | 18/11/2026
himars missile launched

Qeveria synon të blejë dy sisteme raketore HIMARS me vlerë 210 millionë USD

12:43 | 18/11/2026
marta kos

Letër nga Brukseli: BE-ja zbulon fuqinë shpërthyese të muzikës ballkanike

10:19 | 18/11/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.