Thursday / November 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Të Tjerat nga Bota

Ari humbet shkëlqimin për investitorët

Share Share Icon

Metali i çmuar, i konsideruar prej kohësh si një mjet për diversifikimin e portofoleve, nuk i mbrojti investitorët gjatë rënies së fundit të aksioneve të kompanive teknologjike.

Investitorët po vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje rolin tradicional të arit si strehë e sigurt në portofolet e tyre. Çmimi i metalit të çmuar ka rënë ndjeshëm muajt e fundit, edhe pse aktivet me rrezik, si aksionet, janë përballur me shitje të forta.

Ari ka humbur një të tretën e vlerës që nga janari, kur çmimi arriti rekordin prej 5.595 dollarësh për ons troje. Të mërkurën, ai zbriti deri në 3.742 dollarë për ons, niveli më i ulët që nga shtatori 2025.

Çmimi i arit ka rënë me rreth 10% që nga fillimi i tetorit, kur indekset e aksioneve në Wall Street arritën kulmin. Aksionet e kompanive teknologjike kanë pësuar rënie të forta javët e fundit.

Investitorët që prisnin që ari të shërbente si strehë nga trazirat në tregje, rritja e inflacionit apo shqetësimet për nivelet e borxhit shtetëror, siç kanë argumentuar prej kohësh ata që besojnë te rritja e çmimit të tij, kanë mbetur të zhgënjyer.

“Ari po sillet disi si një aktiv me rrezik”, në vend që të ofrojë mbrojtje ndaj rrezikut, tha George Cheveley, menaxher portofoli në shoqërinë e administrimit të fondeve Ninety One. “Është e kundërta e asaj që do të prisje: do të prisje që të ishte një strehë e sigurt [nëse] situata në botë po përkeqësohet”, shtoi ai.

Metali i çmuar shënoi një rritje historike vitet e fundit, nga rreth 2.000 dollarë për ons troje në fillim të vitit 2024 deri në kulmin e këtij viti. Rritja u mbështet nga blerjet e bankave qendrore dhe, gjithnjë e më shumë, nga hyrja në masë e investitorëve spekulativë nëpërmjet fondeve të tregtuara në bursë (ETF).

Analistët e Peel Hunt thanë se rënia e arit në një nivel të ri të ulët këtë javë “nuk pati ndonjë shkak të qartë, ndërkohë që rënia e çmimeve të naftës dhe ulja e yield-eve [të obligacioneve] duhej të krijonin kushte të favorshme” për arin.

Rënia e arit nën 3.800 dollarë për ons duket si një “kapitullim i mundshëm” i investitorëve, shtuan ata. Kjo ngre shqetësime se “besimi në treg po lëkundet dhe gjithnjë e më shumë investitorë po binden se duhet t’i mbyllin pozicionet dhe ta presin vitin e ri jashtë tregut”.

John Reade, strateg për tregjet e Azisë dhe Europës në Këshillin Botëror të Arit, tha se dobësia e arit këtë vit shpjegohet “kryesisht me sjelljen e spekulatorëve dhe investitorëve perëndimorë që përdornin levë financiare dhe investonin me afat të shkurtër”. Ata hynë në treg kur çmimi po rritej me shpejtësi dhe u tërhoqën sapo ndryshuan kushtet ekonomike.

Helen Amos, drejtoreshë menaxhuese dhe analiste e lëndëve të para në BMO, tha se investitorët kishin nisur të paralajmëronin se nuk e shihnin më arin si një mjet për diversifikimin e portofoleve të aksioneve.

Sipas saj, një menaxher fondi i kishte thënë javën e kaluar se ari “nuk luan më rol në diversifikim, sepse lëviz në të njëjtin drejtim me aktivet me rrezik. As si strehë e sigurt nuk funksionon vërtet, për shkak të luhatjeve të forta që ka pësuar gjatë 12 muajve të fundit”.

Të zhgënjyer kanë mbetur edhe investitorët që prisnin rikthimin e së ashtuquajturës strategji të mbrojtjes nga zhvlerësimi i monedhave. Kjo strategji konsiston në shitjen e monedhave kombëtare, si dollari amerikan, dhe blerjen e aktiveve fizike, si ari, për të mbrojtur pasurinë nga inflacioni.

Ndonëse inflacioni ka mbetur i lartë në ekonomitë kryesore, cikli i ri i rritjes së normave të interesit, që nisi pas shpërthimit të luftës në Iran në shkurt, ka ushtruar presion mbi çmimin e arit. Rritja e normave të interesit dhe e yield-eve të obligacioneve të thesarit amerikan priret ta bëjë më pak tërheqës arin, i cili nuk gjeneron të ardhura periodike. Edhe forcimi i dollarit ndikon negativisht te metali i çmuar, çmimi i të cilit kuotohet në këtë monedhë. Çmimet e naftës, një nga faktorët kryesorë të inflacionit këtë vit, po lëviznin gjithashtu në drejtim të kundërt me çmimin e arit.

John Reade, nga Këshilli Botëror i Arit, tha se strategjia e mbrojtjes nga zhvlerësimi i monedhave dhe dedollarizimi, dy faktorë që nxitën rritjen e çmimit të arit vitin e kaluar, “nuk janë zhdukur vërtet”.

“Thjesht janë lënë në hije nga ndikimi i konfliktit në Iran, i cili ka sjellë çmime më të larta të energjisë, inflacion më të lartë, norma më të larta interesi dhe pritshmëri që këto norma të jenë edhe më të larta. Kjo ia ka zbehur disi hovin arit”, tha ai.

Por edhe lidhja mes çmimit të arit dhe pritshmërive për normat e interesit duket se është prishur kohët e fundit. Metali ka mbetur nën presion edhe në periudhat kur tregjet prisnin norma më të ulëta interesi, duke i lënë pa shpjegim për këto lëvizje ata që besojnë se çmimi i arit do të rritet. Një investitor në një fond mbrojtës e përshkroi ecurinë e fundit si “një enigmë”.

Disa analistë ia atribuojnë këtë dobësimit të fundit të aksioneve të kompanive të inteligjencës artificiale, që i ka detyruar disa investitorë të shesin ar për të mbuluar pozicionet e tyre në tregjet e aksioneve.

Suki Cooper, drejtuese globale e kërkimit për lëndët e para në Standard Chartered, tha se ari po luan aktualisht dy role: “Së pari, shërben si burim likuiditeti, rol që është bërë më i dukshëm mes nervozizmit në sektorin teknologjik dhe korrigjimeve në tregjet e aksioneve. Së dyti, çmimi i tij po ndikohet sërish nga yield-et reale dhe nominale, të cilat rrisin koston oportune të mbajtjes së arit në afat të shkurtër.”

Megjithatë, disa investitorë mbeten optimistë për perspektivën afatgjatë të arit. Cheveley, nga Ninety One, vuri në dukje se kërkesa e bankave qendrore mbetet e fortë.

Interesi për strategjinë e mbrojtjes nga zhvlerësimi i monedhave “është zbehur”, tha Amos, nga BMO. “A do të rikthehet? Po, sigurisht, sepse borxhi publik po rritet.”

Cooper, nga Standard Chartered, tha se ari “duhet të mos shihet më kryesisht si burim likuiditeti, që çmimi i tij të rimarrë hovin”. Ajo mbetet optimiste për perspektivën afatgjatë.

Cheveley tha se rimëkëmbja e çmimit të arit “ndoshta do të kërkojë pak kohë”. Megjithatë, shtoi ai, “po të shohësh situatën gjeopolitike, borxhin publik të SHBA-së, blerjet e bankave qendrore dhe synimin e Kinës e të vendeve të tjera për të shtuar rezervat e arit, mendoj se të gjithë këta faktorë që nxisin blerjet mbeten në fuqi”./Financial Times

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

BQE krahason hovin e IA me flluskën dotcom, ndërsa gjigantët e teknologjisë shtojnë borxhin

Banka Qendrore Europiane e krahasoi hovin e inteligjencës artificiale me flluskën dotcom në raportin e saj gjashtëmujor të Stabilitetit Financiar, ...

22 hours më parë 6 Min Lexim
Bota /

Inflacioni në Britani arrin 3,6%, por tregjet ulin pritshmëritë për rritje të normës

Inflacioni vjetor në Britani u rrit në 3,6% në tetor, nga 3,5% në shtator, duke arritur nivelin më të lartë në një vit. Investitorët megjithatë ulë...

23 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!