Bota

Skandal në Rai, rituali i bekimit kthehet në kërcënim në serial!

Një polemikë e fortë ka shpërthyer në Itali pas transmetimit në Rai 1 të serialit 177 ditë, Rrëmbimi i Farouk, që trajton historinë e rrëmbimit të fëmijës Farouk Kassam në Porto Cervo të Sardenjës, në vitin 1992. Shoqata Pro Loco e Mamoiadës ka akuzuar produksionin për shtrembërim të rëndë kulturor dhe historik, pasi një ritual tradicional i maskave sarde Mamuthones dhe Issohadores, që simbolizon fatin e mirë dhe mbrojtjen, është paraqitur në serial si një akt kërcënimi.

Sipas shoqatës, gjatë xhirimeve ishte realizuar një skenë ku një pjesëmarrës në ritual i uronte fat babait të fëmijës së rrëmbyer. Por në versionin televiziv, përmes dublimit, urimi ishte zëvendësuar me fjalët: Si guxon të shfaqesh këtu?, duke e kthyer gjestin e solidaritetit në një mesazh armiqësor.

Kritikat përfshijnë edhe pasaktësi historike. Shoqata kundërshton paraqitjen e Mamoiadës si vendi ku u gjet automjeti i rrëmbyesve, si dhe një skenë ku babai i fëmijës dëbohet nga një lokal. Sipas saj, këto episode dëmtojnë imazhin e komunitetit dhe traditën e mikpritjes së Sardenjës.

Përfaqësuesit e shoqatës kanë kërkuar respektimin e identitetit kulturor dhe historik të zonës, duke theksuar se traditat shekullore nuk mund të shtrembërohen për nevojat e një skenari televiziv.