Ç’po ndodh me Ernest Muçin pas dëmtimit? Vijnë lajmet e para nga Turqia

Ernest Muçi ka marrë një lajm të mirë pas dëmtimit të pësuar gjatë ndeshjes së Shqipërisë ndaj Finlandës në Nations League. Sulmuesi kuqezi, i cili ishte një nga protagonistët e Kombëtares në këtë kompeticion, i ka kaluar me sukses kontrollet mjekësore në Turqi dhe pritet të rikthehet së shpejti në fushën e lojës.
Muçi u dëmtua në pjesën e dytë të sfidës me Finlandën, pas një ndërhyrjeje të ashpër nga prapa, pavarësisht se arriti të realizonte një gol spektakolar në atë takim. Problemi fizik e detyroi të mungonte në përballjen pasuese ndaj Bjellorusisë, ndonëse udhëtoi me pjesën tjetër të skuadrës për të qëndruar pranë grupit.
Gjendja e tij shkaktoi shqetësim te drejtuesit e Trabzonsporit, ku sulmuesi shqiptar është shndërruar në një element të rëndësishëm të ekipit. Për këtë arsye, pas rikthimit në Turqi, ai iu nënshtrua ekzaminimeve të detajuara mjekësore.
Përgjigjet rezultuan pozitive, pasi bëhet fjalë vetëm për një traumë në zonën e goditur, pa dëmtime serioze. Madje, Muçi është rikthyer që pasditen e djeshme në stërvitje me Trabzonsporin, duke rritur shanset për të qenë në dispozicion për ndeshjen e fundjavës kundër Ejupspor në kampionat.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave turke, stafi teknik mund të zgjedhë të mos rrezikojë me aktivizimin e shqiptarit, duke e ruajtur për sfidën e mesjavës së ardhshme në Ligën e Konferencës. Ky kompeticion konsiderohet një objektiv madhor për Trabzonsporin, që synon të shkojë sa më larg dhe pse jo të luftojë për trofeun.




