Thursday / November 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Biznesi kërkon një model të qartë ekonomik, integrim europian dhe investime në produktivitet

Share Share Icon

Rritja ekonomike e Shqipërisë, pavarësisht treguesve pozitivë të viteve të fundit, po përballet me sfidën e krijimit të më shumë vlere të shtuar, rritjes së produktivitetit dhe përshtatjes me standardet e Bashkimit Europian.

Në Forumin e Biznesit “E ardhmja e ekonomisë”, organizuar nga revista “Monitor” në kuadër të publikimit të renditjes së 200 kompanive më të mëdha në Shqipëri për vitin 2025, përfaqësues të institucioneve financiare dhe të biznesit evidentuan nevojën për një model zhvillimi më të orientuar drejt prodhimit, eksporteve dhe konkurrueshmërisë.

Të dhënat e renditjes Top 200 tregojnë peshën e kompanive më të mëdha në ekonomi. Sipas Evis Karandreas, drejtore ekzekutive e Union Grup, 200 kompanitë më të mëdha realizuan në vitin 2025 rreth 1.5 trilionë lekë qarkullim dhe 170 miliardë lekë fitime.

Nga ana tjetër, ajo theksoi se madhësia ekonomike nuk përkthehet automatikisht në krijim vlere. “Një qarkullim i lartë nuk përkthehet automatikisht në produktivitet më të madh, në vende pune më cilësore, në inovacion apo në konkurrueshmëri afatgjatë”, u shpreh Karandrea, duke nënvizuar nevojën për investime në teknologji, fuqi punëtore të kualifikuar dhe një mjedis fiskal e rregullator të parashikueshëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ekonomia ka shënuar rritje rreth 4%, inflacioni është mbajtur rreth objektivit prej 3%, ndërsa borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse. Sipas tij, të ardhurat për frymë, në raport me mesataren e Bashkimit Europian, janë rritur nga rreth 23% në 43%.

Por integrimi europian kërkon përshpejtim të reformave dhe një ekonomi më produktive. “Qëllimi është të kemi një rritje të qëndrueshme, të bazuar te produktiviteti, një rritje afatgjatë dhe të jemi gjithmonë të përshtatur me standardet e Bashkimit Europian”, tha Sejko.

Ai vuri në dukje se kreditimi i biznesit privat po rritet me ritme vjetore prej 15.5%, ndërsa kreditë me probleme kanë zbritur nga 25% në vitin 2015 në 3.6% aktualisht. Sipas tij, zgjerimi i kreditimit duhet të vijojë në mënyrë graduale dhe brenda kritereve të kujdesshme të administrimit të riskut.

Sejko veçoi gjithashtu modernizimin e pagesave, anëtarësimin në SEPA dhe implementimin e sistemit të pagesave të menjëhershme, si zhvillime që ulin kostot dhe përmirësojnë shërbimet për bizneset.

Nga këndvështrimi i financimit europian, Alessandro de Concini, drejtues i Përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve në Shqipëri, vuri theksin te integrimi rajonal. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shfrytëzojnë më mirë një treg prej 70 milionë banorësh dhe sinergjitë mes kapaciteteve të tyre prodhuese. Ai përmendi se rreth 26 milionë orë nga koha e drejtuesve të kamionëve humbasin në pikat kufitare të rajonit.

De Concini tha se BEI mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes linjave të kreditimit, garancive dhe instrumenteve të ndarjes së riskut, duke i ndihmuar të investojnë në eficiencë energjetike, dekarbonizim dhe produkte të reja. “Integrimin në BE ta shohin jo si barrë të rregulloreve më të shumta, por si një mundësi që kompanitë të diversifikohen, të tërheqin investime dhe të bëhen më konkurruese”, ishte mesazhi i tij.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, e vendosi theksin te parashikueshmëria e politikave ekonomike dhe ndikimi i tyre në vendimet e investitorëve. Ai iu referua Indeksit Shqiptar të Biznesit të publikuar nga Dhoma Amerikane, duke evidentuar hendekun mes perceptimit të qeverisë dhe atij të kompanive për klimën e biznesit.

Van Cleve kritikoi ndryshimet e shpeshta fiskale, duke argumentuar se ato krijojnë pasiguri për bizneset pikërisht në momentin kur kërkohet një mjedis më i qëndrueshëm për investime. “Po ndryshohen gjërat edhe një herë, duke ndryshuar kontekstin ndërsa bizneset janë në mes të zbatimit të tyre. Kjo paqëndrueshmëri e bën vërtet sfidë tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, u shpreh ai.

Sipas Van Cleve, Shqipëria ka potencial për të tërhequr kapital në sektorë si energjia, logjistika, teknologjia dhe shërbimet e biznesit, por për ta kthyer këtë potencial në investime konkrete nevojiten përmirësime në mënyrën e hartimit dhe zbatimit të politikave publike.

Presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Balázs Révész, tha se Shqipëria duhet të përcaktojë qartë modelin ekonomik që synon të ndjekë, në një moment kur procesi i integrimit europian po hyn në një fazë vendimtare. Ai identifikoi dy alternativa: modelin e “Monakos së Ballkanit”, të mbështetur te avantazhet fiskale dhe tërheqja e investimeve financiare, dhe atë të “Estonisë së Ballkanit”, të orientuar drejt integrimit europian, inovacionit, dixhitalizimit dhe eksporteve me vlerë të lartë.

“Dëgjoj Shqipërinë dhe qeverinë të flasin për njërin model dhe të veprojnë për tjetrin”, u shpreh Révész, duke theksuar se investimet e huaja nuk duhet të shihen si konkurrencë për bizneset vendase, por si një katalizator për zhvillimin e tyre, përmes transferimit të njohurive, krijimit të vendeve të punës me vlerë të lartë dhe forcimit të kapaciteteve prodhuese.

Sipas tij, për të tërhequr investime të reja nevojitet një mjedis biznesi i hapur dhe transparent, me procedura më të thjeshta administrative, zbatim të barabartë të ligjit dhe zgjidhje të problemeve të pronësisë dhe kadastrës. Këto reforma, theksoi ai, duhet të ndihen në aktivitetin e përditshëm të kompanive dhe jo të mbeten vetëm në nivelin e harmonizimit të legjislacionit.

Ndërsa CEO dhe aksioneri i Concord Group, Artan Dulaku, u ndal te sfidat e ndërtimit. Ai tha se sektori mbetet aktiv, por infrastruktura nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Sipas tij, Mali i Zi konsumon më shumë se dyfishin e bitumit që përdor Shqipëria, pavarësisht madhësisë më të vogël të ekonomisë, një tregues që ai e lidhi me nevojën për investime më të mëdha infrastrukturore.

Dulaku kërkoi gjithashtu që orientimi i investimeve drejt hotelerisë të mbështetet përmes incentivave dhe jo detyrimeve administrative. “Kjo nuk bëhet me urdhër, kjo bëhet me incentiva”, u shpreh ai, duke argumentuar se kapitali duhet të ketë stimuj ekonomikë për t’u orientuar drejt sektorëve të synuar.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Master në Itali, doktoraturë në Gjermani; Ku studiojnë të rinjtë nga Shqipëria, mbizotërojnë vajzat

Ambicia për t’u shkolluar i çon mijëra të rinj nga Shqipëria në universitete jashtë vendit. Në vitin 2024, sipas Eurostat, rreth 11,4 mijë studentë...

6 hours më parë 5 Min Lexim

Nga falimentimi te shkeljet e kushteve, ERE përcakton rastet e heqjes së licencave në energji

Kompanitë e sektorit të energjisë elektrike mund të humbasin licencën nëse bëhen financiarisht të paafta, kërkojnë shpalljen e falimentimit, nuk pa...

6 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!