
Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj një marrëveshjeje të mundshme mes PS-PD për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar që procesi të mos mbetet vetëm në duart e dy forcave kryesore politike. Sipas Shehit, reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantojë kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike, përmes një sistemi që mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Është domosdoshmëri kombëtare që ta frenojmë me çdo kusht, të bëjmë të gjithë presionet e mundshme që mos ketë më kompromis PS-PD, si ai që ndodhi para një viti e gjysmë”, deklaroi Shehi. Ai theksoi se në diskutimet për ndryshimet zgjedhore duhet të përfshihen edhe partitë e reja, forcat alternative dhe përfaqësues të protestave, ndërsa kërkoi një rol më aktiv të faktorit ndërkombëtar.
“PS dhe PD gjithnjë aty kanë qenë për 25 vjet, duke bërë reformë me njëri-tjetrin. Ne duam që të ndërhyjë edhe një arbitër ndërkombëtar. Ne duam që të jenë pjesëtarë në këtë lloj diskutimi politik edhe partitë e reja, partitë alternative dhe përfaqësues nga sheshi i protestës”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te ndryshimet konkrete që duhet të sjellë reforma, Shehi renditi disa prej propozimeve që, sipas tij, do të mundësonin një konkurrencë më të drejtë politike. “Urojmë që PD-ja të mbrojë të paktën ato ide që ka thënë vetë: votim me dy raunde për sa i përket pushtetit lokal; Shqipëria një zonë e vetme elektorale përsa i përket zgjedhjeve politike; lista të hapura”, deklaroi kreu i LZHK-së.
