Një tragjedi është regjistruar në brigjet e ishullit italian të Lampeduzës, ku një varkë me 50 emigrantë është përmbysur dhe më pas është fundosur. Si pasojë, një vajzë 6-vjeçare nga Bregu i Fildishtë rezulton e zhdukur, ndërsa 50 personat e tjerë, mes tyre 10 gra dhe 3 të mitur, janë shpëtuar nga Roja Bregdetare italiane.
Varka rreth 7 metra e gjatë, e cila ishte nisur nga qyteti i Sfaxit në Tunizi, u përmbys pak para se të kapej nga autoritetet italiane, duke bërë që emigrantët të përfundonin në det. Sipas të dhënave paraprake, nuk raportohet për persona të tjerë të zhdukur. Të mbijetuarit janë me origjinë nga Burkina Faso, Benini, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Gambia, Guinea dhe Mali.
Vajza e zhdukur udhëtonte së bashku me nënën e saj, një grua nga Bregu i Fildishtë, rreth 20-25 vjeçe. Ajo është mes 50 personave të shpëtuar dhe aktualisht ndodhet në qendrën e pritjes së emigrantëve në Lampedusa, ku po merr kujdes nga vullnetarët dhe psikologët e Kryqit të Kuq. Nënë e bijë udhëtonin të vetme.
Ndërkohë, policia italiane ka nisur identifikimin e të mbijetuarve dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas dëshmive të tyre, varka metalike ishte nisur nga Sfax rreth orës 23:00 të së shtunës dhe drejt ishujve Pelagie kishte lundruar duke përdorur një busull dhe aplikacionet e telefonave celularë.
Për udhëtimin, secili emigrant kishte paguar nga 300 deri në 600 euro. Aktualisht, në qendrën e pritjes në Lampedusa ndodhen 249 persona, ndërsa 101 prej tyre pritet të transferohen me traget drejt Porto Empedocle.










