Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndëshkuar me “Vërejtje publike” prokuroren e Dibrës, S.Q., pasi refuzoi t’i vinte në dispozicion Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar për një çështje penale, duke argumentuar se ishte sekret hetimor. Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) kishte kërkuar uljen e pagës deri në 40% për një periudhë deri në një vit.
Refuzimi i prokurores kishte ndikuar në shqyrtimin e një ankimi për masën e sigurimit personal, në një çështje që lidhej me lirinë e një individi. Gjykata e Apelit e kishte vlerësuar të gabuar interpretimin e ligjit nga prokurorja, pasi informacioni i kërkuar ishte i nevojshëm për shqyrtimin e plotë të ankimit.
Rasti u hetua nga ILD, e cila konstatoi se prokurorja kishte vijuar të mbante të njëjtin qëndrim, pavarësisht njohurive dhe përvojës së saj profesionale.
Sipas ILD-së, veprimet e prokurores përbënin shkelje të rëndë disiplinore, që dëmtonte besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe mund të krijonte një precedent negativ për raste të ngjashme.
Në përfundim, ILD kërkoi uljen e përkohshme të pagës së prokurores deri në 40%, por KLP e pranoi pjesërisht kërkesën, duke vendosur masën “Vërejtje publike”.









Komente
Komento