Ura e Krimesë goditet sërish/ Sulmi i tretë ukrainas brenda javës, ndërpritet edhe qarkullimi i trenave

19/11/2026 12:34

Ukraina ka goditur për herë të tretë brenda një jave urën strategjike që lidh Rusinë me Krimenë.

Autoritetet ruse njoftuan pezullimin e përkohshëm të transportit hekurudhor, ndërsa qarkullimi rrugor mbetet i bllokuar pas shkatërrimit të një segmenti të urës të martën.

Ura që lidh Rusinë me gadishullin e aneksuar të Krimesë është goditur sërish nga Ukraina, për herë të tretë brenda një jave.

Sulmi i fundit ka ndërprerë përkohësisht edhe transportin hekurudhor, ndërsa qarkullimi i automjeteve mbetet i bllokuar që prej së martës. Ukraina ka ndërmarrë një tjetër sulm ndaj urës së Krimesë, një prej objektivave më të rëndësishëm strategjikë dhe simbolikë të Rusisë në luftën që vazhdon prej gati pesë vitesh.

Sergei Aksyonov, guvernatori i emëruar nga Moska në Krime, njoftoi se sulmi i së enjtes ka detyruar autoritetet të pezullojnë qarkullimin e trenave, ndërsa ekipet e mirëmbajtjes po punojnë për riparimin e dëmeve. Ministria ruse e Transportit konfirmoi ndërprerjen e përkohshme të shërbimit hekurudhor, duke sqaruar se nuk ka pasur persona të plagosur.

Vetëm dy ditë më parë, raketat dhe dronët ukrainas goditën urën 19 kilometra të gjatë, duke shkatërruar plotësisht një pjesë të segmentit rrugor. Për pasojë, qarkullimi i automjeteve mbetet i pamundur. Sulmi i ri ndodhi vetëm disa orë përpara takimit të presidentit rus Vladimir Putin me homologët amerikan dhe kinez, Donald Trump dhe Xi Jinping, në Kinë.

Ura e Krimesë, e inauguruar pas aneksimit rus të gadishullit në vitin 2014, është një rrugë kryesore furnizimi për Moskën. Ajo është goditur disa herë gjatë luftës, përfshirë shpërthimin e tetorit 2022, që shkaktoi dëme të mëdha dhe ndërprerje disamujore të qarkullimit.

Top Channel