“Janë lënë 930 milionë euro para xhepi”, Berisha: Nuk është 10 miliardë euro por 5.5, pensionistët marrin vetëm 1% të GDP-së

19/11/2026 12:32

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe shpërdorim të fondeve publike, duke kritikuar shpërndarjen e buxhetit të vitit të ardhshëm.

Sipas tij, pavarësisht se qeveria e cilëson atë si më të madhin në histori, pensionistët janë lënë me një fond të pamjaftueshëm, ndërsa shpenzimet operative të administratës janë tepër të larta. Berisha kërkoi dyfishimin e fondeve për pensionistët.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, edhe njëherë rikthehem tek buxheti i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro.

Së pari, kjo përbën një spekulim madhor sepse në rast se kthehemi në kursin e këmbimit të vitit 2013, kemi të bëjmë pas 14 vitesh me një buxhet prej 5.5 miliardë euro nga 4 miliardë që ishte buxheti i fundit i qeverisë së mëparshme.

Po të shkojmë në vitin 2015, kemi të bëjmë me një buxhet me kursin e këmbimit se kjo bazohet tek narkoeuro, kemi të bëjmë me një buxhet prej 6.5 miliardë eurosh. Kjo është e vërteta.

Por në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 përqind e GDP-së.

Iu janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro. Nuk ka përqeshje më të madhe për ta. Janë 760 mijë qytetarë. Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë.

Dhe kjo vetëm si hapi i parë. Ku do gjenden? Tek hajdutët. Janë lënë 930 milionë euro para xhepi, udhëtimesh, shpenzimesh të administratës. Shpenzime operative. Udhëtime dhe fjetje në hotel me 5 yje.

Krim, krim i shëmtuar. Këtu janë futur edhe paratë e check-upit, koncesioneve të cilat shkojnë, siç dihet, pasivisht në kontot bankare të Edi Ramës dhe hajdutëve të tij”, shprehet Berisha.

Top Channel