Sherri në burgun e Reçit, pas konfliktit gjendet telefon në qelinë e njërit prej të dënuarve

Një telefon celular është gjetur në dhomën e të dënuarit Sebastian Ogiç, i përfshirë në konfliktin fizik të regjistruar një ditë më parë në burgun e Reçit në Shkodër.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në datën 18 nëntor 2026 është arrestuar në flagrancë shtetasi Sebastian Ogiç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara”.
Ndërkohë, shtetasi A.O. është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim”.
Nga veprimet procedurale ka rezultuar se dy të dënuarit janë konfliktuar me të dënuarin S.G., duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Pas incidentit, autoritetet kanë ushtruar kontrolle në dhomat e personave të përfshirë në konflikt, ku në dhomën e Ogiç. është gjetur një aparat telefonik.
Më herët, Vizion Plus raportoi se në konflikt ishin përfshirë A.O dhe Sebastian Ogiç. Ky i fundit është dënuar për vjedhje me armë dhe dhunë në bashkëpunim, ndërsa A.O për vrasje të mbetur në tentativë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për vijimin e hetimeve.
AMSEVP u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje të detyrës nga punonjësit e strukturave përkatëse.




