
Shqipëria U21 arriti të ndalte Spanjën në një ndeshje miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë. Përballë një kundërshtari me futbollistë të talentuar nga akademitë e Barcelonës, Real Madridit dhe Atletico Madridit, kuqezinjtë morën një rezultat pozitiv, ndërsa vëmendjen kryesore e tërhoqi portieri Alain Taho.
Gardiani 19-vjeçar, i cili aktivizohet te Inter U23, ishte vendimtar në këtë përballje, duke u mohuar spanjollëve golin në disa raste. Përfaqësuesja iberike regjistroi shtatë goditje në kuadrat, por asnjëra nuk përfundoi në rrjetë falë ndërhyrjeve të sigurta të Tahos.
Paraqitja e tij nuk kaloi pa u vënë re as nga mediat spanjolle. E përditshmja e njohur “Marca” e vlerësoi portierin shqiptar si lojtarin më të mirë në fushë, duke theksuar ndikimin e tij në rezultatin e ndeshjes.
“Lojtari më i mirë në fushë i Shqipërisë. Ai është përgjegjësi kryesor që Spanja nuk arriti ta fitonte këtë ndeshje”, shkruan media spanjolle.
Vlerësimi nga “Marca” është një tjetër sinjal pozitiv për talentin e ri, i cili po fiton gjithnjë e më shumë besim dhe përvojë në nivel ndërkombëtar.
Me paraqitje të tilla, Taho po konfirmon potencialin e tij dhe mundësinë për të qenë një alternativë në të ardhmen edhe për Kombëtaren A.
