Një histori e rëndë dhune dhe kërcënimesh rikthehet në vëmendje në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti. Një 34-vjeçare ka rrëfyer sërish përjetimet që pretendon se ka kaluar gjatë marrëdhënies me ish-bashkëjetuesin 52-vjeçar, Bledar Bakaj, të cilin e akuzon për mbajtje peng, dhunë dhe përdhunim, akuza që ai i ka mohuar.

Ndërsa babai i saj 67-vjeçar, i plagosur me drapër gjatë një konflikti në banesën e tyre në Roskovec, ka treguar në studio momentet e tmerrit dhe kërcënimet me vdekje që pretendon se u janë bërë.

Pavarësisht urdhrit të mbrojtjes, 52-vjeçari shkoi në banesën e familjes më 13 shtator, ku dyshohet se plagosi të moshuarin, ndërsa aktualisht ndodhet në burg, në pritje të vijimit të hetimeve.

“Na kishte dërguar kërcënime se do të na vriste, kërcënimet na i ka sjellë me kryeplakun e fshatit, sepse telefonat i kishim të fikur. Ai erdhi i përgatitur të na vrasë, me kapele dhe dorashka e maskë. Pamë diçka të ndritshme. Donte të na fuste në shtëpi të tre, u kacafyt me ne shty pështy, herën e parë më ka goditur me një grusht pas koke.

Ishte një drapër që e përdorim për të prerë mishin, më goditi mua dy ose tre herë. Kaloi një mjet aty që u duk si policie. Në vend të largohej u hodh në pus, se di a u tremb nga policia. Kërkoi litarin dhe doli, kur doli nga pusi tha nuk e lë me kaq, do të shkoj në makinë të marr armën e do t’ju bëj konservë. Momentin e fundit më tha do t’ju bëj sallam. Kam besuar çfarë kishte ndodhur me time bijë, kur djali i tij më erdhi bashkë me çupën në shtëpi dhe më tha më mbro mos më lejo të iki më në atë shtëpi sepse vetëm unë dhe kjo e dimë se çfarë heqim nga ai. Më jep vetëm një copë bukë”, tregon babai i 34-vjeçares.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb