Patatet mund të kultivohen në Hënë, studimi konfirmon se janë të sigurta për t’u ngrënë dhe hap rrugën për ushqimin e astronautëve

19/11/2026 13:28

Patatet mund të bëhen një nga ushqimet kryesore të astronautëve në misionet e ardhshme drejt Hënës.

Një studim i ri i studiuesve të Universitetit Shtetëror të Oregonit, i financuar nga NASA, ka treguar se këto bimë mund të rriten me sukses në tokë që simulon kushtet e sipërfaqes hënore dhe se prodhimi i tyre është i sigurt për konsum.

Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore npj Microgravity, shqyrtoi mundësinë e kultivimit të patateve në regolitin hënor, shtresa e shkëmbinjve të imët dhe pluhurit që mbulon sipërfaqen e Hënës. Kjo tokë paraqet vështirësi për zhvillimin e bimëve, pasi përmban shumë pak lëndë organike dhe ka përqendrime të larta të disa metaleve të rënda.

Për të përmirësuar cilësinë e tokës, studiuesit përdorën vermikompost, një material organik i pasur me lëndë ushqyese, që prodhohet nga krimbat e tokës gjatë zbërthimit të mbetjeve organike. Eksperimentet treguan se rezultatet më të mira u arritën kur tokës hënore të simuluar iu shtua 30% vermikompost.

Në këto kushte, patatet shfaqën rritje dhe zhvillim të ngjashëm me ato të kultivuara në tokën e Tokës. Ndërkohë, bimët që u rritën pa asnjë shtesë organike patën vështirësi të konsiderueshme, me rrënjë të pazhvilluara dhe rritje të kufizuar. Shtimi i sasive më të vogla të vermikompostit, nga 5% deri në 15%, solli përmirësime, por jo në të njëjtën masë.

Një tjetër rezultat i rëndësishëm lidhet me sigurinë ushqimore. Analizat treguan se patatet e kultivuara në tokën e simuluar hënore ruajtën vlerat e tyre ushqyese dhe nuk shfaqën rritje statistikisht të rëndësishme të glikoalkaloideve, përbërës natyralë toksikë që gjenden në patate.

Zgjedhja e kësaj kulture nuk ishte e rastësishme. Patatet prodhojnë shumë kalori për njësi sipërfaqeje, kanë vlera të larta ushqyese dhe mund të përbëjnë një burim praktik ushqimi për astronautët gjatë qëndrimeve të gjata në hapësirë.

Gjetjet mund të ndihmojnë në planet e NASA-s për krijimin e një pranie të përhershme njerëzore në Hënë përmes programit Artemis. Në të ardhmen, astronautët mund të transportojnë sasi të vogla materiali organik nga Toka dhe më pas të krijojnë rezerva të reja duke ricikluar mbetjet ushqimore dhe bimore.

Sipas studiuesve, kjo do të reduktonte varësinë nga furnizimet e vazhdueshme me ushqime nga Toka dhe do të krijonte mundësi për zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të prodhimit të ushqimit në Hënë.

Megjithatë, kërkimet nuk kanë përfunduar. Në një fazë tjetër, shkencëtarët do të testojnë dhjetë varietete të ndryshme patatesh për të përcaktuar se cilat prej tyre përshtaten më mirë me kushtet e tokës hënore.

Top Channel